Alarm për mot të ligë në Greqi, paralajmërim për Halkidikin dhe Selanikun

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Greqisë ka lëshuar një njoftim të jashtëzakonshëm me alarm të kuq për dukuri të rrezikshme atmosferike, të cilat pritet ta përfshijnë vendin nga 24 deri më 25 korrik. Pas valës disa ditore me temperatura ekstreme të larta, meteorologët paralajmërojnë reshje të dendura shiu të shoqëruara me bubullima, erëra të forta, ndërsa në disa zona mund të ketë edhe breshër, shkruan “Kathimerini”.

Sipas parashikimeve, të premten, më 24 korrik, moti i paqëndrueshëm do të prekë edhe pjesën veriore të Greqisë, përfshirë Halkidikin dhe Selanikun, ku priten reshje të dendura dhe goditje të forta të erës.

Për shkak të stuhisë së paralajmëruar, autoritetet greke kanë vendosur në gatishmëri maksimale 11 rajone, ndërsa Ministria e Mbrojtjes Civile ka aktivizuar mekanizmin kombëtar për përballimin e situatave emergjente. Pas paralajmërimit të jashtëzakonshëm nga Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Greqisë, në zonat e prekura është shpallur “kodi i kuq”, që nënkupton mobilizimin e personelit, mekanizimit dhe të gjitha burimeve në dispozicion për reagim në kohë ndaj përmbytjeve të mundshme, dëmeve nga erërat e forta dhe rreziqeve të tjera.

Sipas Komitetit për Vlerësimin e Rreziqeve, fenomenet më të fuqishme të motit të premten priten në ishujt Sporade, në pjesën qendrore dhe veriore të Eubesë, si dhe në zonat bregdetare të Larisës dhe Magnezisë. Stuhi priten edhe në rajonin e Atikës, përfshirë Athinën, si dhe në pjesë të Maqedonisë Qendrore në Greqi dhe në Greqinë Qendrore.

Ndër rajonet nën nivelin më të lartë të gatishmërisë janë: Selaniku, Halkidiki, Pieria, Imathia, Larisa, Magnezia, ishujt Sporade, Eubea, Thasos, Samothraki dhe Lemnos.

Sipas parashikimeve, gjatë së shtunës stuhitë gradualisht do të dobësohen në pjesën më të madhe të territorit tokësor të Greqisë, por në disa zona të detit Egje ende priten reshje lokale të dendura dhe bubullima.

Institucionet përgjegjëse u bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve që të ndjekin rregullisht parashikimet zyrtare të motit dhe të veprojnë sipas rekomandimeve.

Në rast se vëreni afrimin e një stuhie, duhet të largoheni menjëherë nga plazhi dhe të dilni nga deti. Rekomandohet të shmanget udhëtimi me automjet gjatë reshjeve më të fuqishme, si dhe të ndiqen me kujdes njoftimet dhe udhëzimet e shërbimeve kompetente.

Stuhia nuk do ta përfshijë të gjithë Greqinë në të njëjtën kohë, por të gjithë ata që qëndrojnë ose udhëtojnë drejt pjesës veriore të vendit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të kontrollojnë në kohë parashikimin e motit dhe paralajmërimet eventuale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu