Alarmi: Qeveria Rama po i fal TAP-in shqiptar, Greqisë

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i dhurojë Greqisë menaxhimin e segmentit të gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP, që do të kalojë nëpër Shqipëri.

Diplomati Shaban Murati ka dhënë alarmin për një veprim të tillë, që sipas tij, do të rriste influencën dhe presionin që Greqia do të bëjë në të ardhmen ndaj vendit tonë.

Në një artikull të publikuar në “Gazetën Shqiptare”, Murati thekson se marrëveshja midis kompanisë së sapo krijuar shtetërore të Shqipërisë, “Albgaz”, me atë të Greqisë, “DESFA”, ngre hije dyshimi për shkak të ngutjes për të firmosur dhe faktit se kjo marrëveshje u nënshkrua vetëm dy muaj pas krijimit të kompanisë shqiptare. Ai shprehet se asnjë institucion shqiptar “nuk e përmend fare marrëveshjen e krijimit të një kompanie të përbashkët, që i jep Greqisë çelësat e menaxhimit të funksionimit dhe të mirëmbajtjes së segmentit shqiptar të gazsjellësit TAP”.

Diplomati veteran e konsideron këtë marrëveshje si prekje të sovranitetit të Shqipërisë. Murati shkruan se gazësjelljësit janë kthyer sot në fushat më të rëndësishme dhe më jetike të përplasjes së interesave strategjike dhe gjeopolitike mes shteteve.

“Është fjala për një çështje sovraniteti në një sektor strategjik në territorin e vendit tonë. Sektori i gazit dhe i gazsjellësve në të gjithë vendet e botës konsiderohet instrument dhe objekt i karakterit strategjik dhe, i cili gëzon ekskluzivisht mbrojtjen e patjetërsueshme kushtetuese dhe ligjore. Kushdo, që ka një informacion minimal se çfarë ndodh në rajon dhe në Europë, e ka të qartë se gazi dhe gazsjellësit janë sot një nga fushat më të rëndësishme dhe më jetike të përplasjes së interesave strategjike dhe gjeopolitike për ndikim midis shteteve. Është një fushë në të cilën çdo shtet e ruan me fanatizëm sovranitetin, kontrollin dhe interesin kombëtar. Nuk lëshon shtet tjetër me kaq lehtësi të drejtën dhe autoritetin e menaxhimit të gazsjellësve në territorin e vet. Nuk mund të mendohet se Greqia do të lejonte një kompani turke të gazit të menaxhonte segmentin e TAP-it në Greqi, meqë gazsjellësi vjen nga Turqia”, shkruan Murati në GSH.

Shaban Murati kërkon ndëhyrjen e Parlamentit për një çështje të tillë, pasi e konsideron të pakuptimtë faktin se deputetët duhet të shprehen për një hotel që do ndërtohet në Tiranë nga një kompani arabe dhe nuk pyeten për një fushë strategjike si ajo e energjisë.

“Nuk ka asnjë njoftim, nëse ajo marrëveshje është dërguar për miratim dhe ratifikim në parlamentin e Shqipërisë. Nëse dërgohet në parlament një marrëveshje me një shtet arab për ndërtimin e një hoteli në Tiranë, si nuk u dërguaka në parlament marrëveshja për t’i dhënë Greqisë menaxhimin e gazsjellësit TAP në territorin e Shqipërisë? Një marrëveshje e tillë, që prek interesa të mëdha shtetërore, dhe jo vetëm financiare dhe energjetike, është e detyrueshme të kalojë në miratimin e Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe të vetë parlamentit”, deklaron diplomati.

Ai paralajmëron për një rritje të influencës greke në Shqipëri me realizimin e kësaj marrëveshjeje.

“Shqipëria realisht me gazsjellësin TAP fiton një rëndësi energjetike më të madhe se Greqia dhe ia sposton asaj ambicien e të qenit si një qendër ballkanike e shpërndarjes së gazit. Në të vërtetë Shqipëria do të jetë qendër trasitimi, sepse do të jetë stacioni kryesor i lidhjes së gazsjellësit TAP me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, IAP, që do të transmetojë gazin azer në Mal të Zi, Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Gjithashtu, Shqipëria do të jetë pika e lidhjes së gazsjellësit TAP me Kosovën. Ajo mund të jetë edhe lidhja TAP-it me Maqedoninë. Këtë rol të rëndësishëm si qendër rajonale transitimi, që është me fitime të jashtëzakonshme, nuk duhet se për çfarë arsye Shqipëria po lëviz t’ia dhurojë Greqisë. Greqia po merr pa luftë kështjellën tonë energjetike dhe siguron një avantazh strategjik afatgjatë, dhe jo vetëm energjetik, por edhe politik mbi Shqipërinë. Duke i dhënë Greqisë të drejtën e menaxhimit të segmentit shqiptar të gazsjellësit TAP, Shqipëria me dorën e vet i ka dhënë Athinës një instrument force, presioni dhe influence mbi Shqipërinë, për energjinë, për diplomacinë dhe për çështje të tjera strategjike.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu