Në Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, edhe pse vëmendja kryesore e botës është drejtuar tek gjuhët që rrezikojnë të zhduken, në Maqedoni përqendrimi ynë është tek gjuha jonë amtare, që rrezikon në një tjetër aspekt. Standardi i shqipes nuk respektohet pothuajse që nga nivelet më të larta e deri në përdorimin e përditshëm, shkruan TVM 2, transmeton FLAKA.mk
Albanologët alarmojnë se përdorimi i fjalëve të huaja është kthyer në një modë jo vetëm mes njerëzve, por edhe në përkthimet shkollore, tek të cilat nuk ruhet standardi i shqipes.
Sistemi i ri i Kembrixhit ka bërë që librat e përkthyera të ruajnë standardin e shqipes vetëm në format e mbaresave apo aspektin sintaksor, por i tërë leksiku është në anglisht apo gjuhë të tjera neolatine.
Që një gjuhë të mos përjetojë zhdukje duhet të ruhet e kultivohet, të mbrohet nga ndikimet e huaja dhe të respektohet standardi i saj, thotë albanologia, Ajten Hajdari-Qamili.
Sipas saj, shqipes nuk i kanoset zhdukja, por duhet bërë kujdes ta ruajmë atë të pastër.
“Është një gjuhë mijëvjeçare dhe jo vetëm qindravjeçare, dhe ka mbijetuar të gjitha stuhitë që i ka pasur dhe nuk besoj që do të arrijë në asimilim të tërësishëm apo të plotë. Rinia e sotme më shumë parapëlqen të përdorë fjalë të huaja, barbarizma dhe struktura të tjera për t’u treguar më modernë, më intelektualë, por në fakt është e kundërta, duhet kulturën dhe ngritjen profesionale kulturore ta dëshmojnë me gjuhën amtare në nivelin më të lartë të sofistikuar”,- deklaroi profesoresha universitare, Ajten Hajdari-Qamili.
Ajo kërkon një ligj që do të mbronte shqipen standarde nga gabimet e qëllimshme apo të paqëllimshme në përdorimin e saj, qoftë nëpër mbishkrime, qoftë edhe në komunikimin institucional.
“Nëse nuk ka një ligj që do të mbrojë shqipen nga kjo shkelje, thyerje e normave drejtshkrimore, atëherë nuk do të arrijmë që ta ruajmë ashtu siç duhet, sepse mentaliteti i Ballkanit është i këtillë që ne zbatojmë vetëm atë që është e mbrojtur me ligj. Përgjegjësinë e kanë të gjitha institucionet, duke filluar që nga kuvendi dhe duke vazhduar në ministritë e tjera”,- theksoi profesoresha universitare, Ajten Hajdari-Qamili.
Edhe qytetarët e anketuar nga TVM2 vlerësojnë se shqiptarët duhet të ndjehen krenarë që gjuha e tyre nuk bën pjesë në grupin e gjuhëve të rrezikuara në zhdukje, por është ndër gjuhët themelore të vetë Europës. Por, gjuha duhet të ruhet edhe duke e shkruar, edhe duke e folur.
“Është e drejta e çdo njeriut të flasë në gjuhën e vet, gjuhën që e flet familja e vetë, do të thotë duhet të ndjehemi krenarë që flasim gjuhën tonë dhe nuk duhet të flasim gjuhë të huaja”,- theksoi një qytetar.
“Duhet ta mbrojmë në përgjithësi shqiptarët e Maqedonisë gjuhën shqipe, duke folur dhe duke e shkruar”,- u shpreh një qytetare.
“Gjuha shqipe duhet mbrojtur si në të folurit ashtu edhe në të shkruarit, sepse shqiptarët duhet të flasin vetëm shqip”,- tha një qytetar.
Sipas UNESCO-s, në të gjithë botën fliten 6.000 gjuhë. 2.500 nga këto janë të kërcënuara nga vdekja. Që nga viti 1950 janë shuar më shumë se 200 gjuhë.
Shqiptarët në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare duhet shumë seriozisht të kuptojnë se përse kanë luftuar me fanatizëm brezat para nesh.
Ne kemi fatin të kemi gjuhën më të lashtë të Ballkanit, që e kemi ruajtur edhe me gjak, dhe duhet ta përdorim në mënyrën më të mirë të mundshme, të pastër e të kulluar.
Vetëm kështu asnjëherë shqipja nuk do të bëhet pjesë e statistikës së gjuhëve të zhdukura të botës.