Albin Kurti, mesazh dhe për ndërkombëtaret: Ja pse Asosacioni serb është i papranueshëm

Në një intervistë për DW, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bën thirrje serbëve që të kthehen në institucione, përsëriti akuzat ndaj Beogradit, ndërsa Bashkimi i Komunave Serbe për të është ende i papranueshëm.

Kurti akuzoi Beogradin se i detyroi serbët e Kosovës të tërhiqen nga institucionet e Kosovës me ndihmën e “një pakice që punon në emër të Beogradit, duke ngacmuar serbët në Kosovë”.

“Disa makina të serbëve nga Kosova janë djegur nga ai grup, sepse i kanë riregjistruar veturat me targa RKS dhe Beogradi e ka përkrahur. Pra Beogradi ka qëndrim destruktiv. Dhe duke pasur parasysh pushtimin rus në Ukrainë dhe agresionin ushtarak atje dhe se Beogradi është në anën e Kremlinit, janë mjaft kërcënim për vendin tonë”, tha Kurti.

Në Kosovë, sipas tij, janë dhënë rreth 1100 paralajmërime për vozitës për drejtimin e veturave me targa të paligjshme. Ai, megjithatë, thotë se policia në asnjë rast nuk ka hasur në ankesa të qytetarëve dhe se kjo është dëshmi se popullata serbe në Kosovë bashkëpunon me institucionet e Kosovës.

“Ka një pakicë të vogël ekstremiste në minoritetin serb që refuzon të riregjistrojë vetura. Disa dhjetëra mijëra prej tyre tashmë i kanë riregjistruar veturat e tyre”, tha Kurti. “Për fat të keq, ata janë të rrezikshëm sepse kanë mbështetjen e Beogradit, financiarisht dhe politikisht. Janë struktura ilegale që janë kriminalizuar vitet e fundit. Me ta merret shteti i së drejtës, jo unë.”

Kurti bëri të ditur se në veri të Kosovës do të rekrutohen më shumë policë në mënyrë që qytetarët të mos vuajnë nga dorëheqjet e serbëve të Kosovës në radhët e policisë.

“Dhe kudo që kanë dhënë dorëheqje kryetarët e komunave, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të shkojmë në zgjedhje të reja në ato komuna për të zgjedhur drejtues të rinj, sepse ky është obligimi ynë kushtetues”,
ka shtuar Kurti.

Megjithatë, kriza në veri nuk është rezultat i vendimit të targave, sipas Kurtit. Ai pretendon se Beogradi e ka shkaktuar krizën për të larguar vëmendjen nga vendimi për të mos pranuar propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Pozicioni i Kosovës, nga ana tjetër, është se propozimi është një bazë e mirë për vazhdimin e bisedimeve, por Kurti insiston se njohja reciproke duhet të jetë pika qendrore.

“Ky propozim parasheh edhe diskutime për të drejtat e pakicave dhe kjo është hapësira në të cilën Beogradi mund të shprehë kërkesën e tij për atë që ata e quajnë Bashkimin e Komunave me shumicë serbe, si një mënyrë për të zgjidhur çështjen e pakicës serbe”, thotë kryeministri i Kosovës.

Bashkimi i Komunave Serbe në formatin e kërkuar nga Beogradi mbetet i papranueshëm për të. “Nuk mund të pranoj asociacion të bazuar në identitetin etnik”, tha Kurti për DW.

“Nëse krijohen asociacione të komunave në Kosovë që bashkohen për qëllime zhvillimore, kjo do të ishte e pranueshme. Por nëse krijohen asociacione sipas identitetit etnik, Kushtetuta jonë nuk e lejon këtë.”

Kurti shtoi se nuk ka asnjë vend në Bashkimin Evropian që u jep pakicave më shumë të drejta se Kosova.

“Problemi janë disa politikanë, liderë që duan që Serbia të marrë kompensim për humbjen e luftës në Kosovë 23 vjet më parë. Por unë nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës, sepse NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, tha Kurti dhe arriti në përfundimin se pajtimi do të vijë kur Beogradi përfundimisht të distancohet nga Millosheviëi dhe Putini.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu