Departamenti i Shëndetësisë pranë Aleancës për Shqiptarët (ASH) me ofertë konkrete të quajtur “PAKOJA PREVENTIVE 10” për parandalimin e ikjes(ekzodusit) së mjekëve nga Maqedonia. Ky plan është shpalosur sot në një konferencë me gazetarët nga dr. Bekim Tateshi, kryetar i Departamentit të Shëndetësisë të kësaj partie, informon INA.
“ Edhe në ditët e fundit jemi dëshmitarë të një ekzodi të mjekëve, kësaj rradhe nga regjioni i Tetovës, trend ky i cili nëse vazhdon do të shkaktojë pasoja të rënda në rrafshin lokal por edhe më gjërë duke krijuar mundësi për havari në sistemin shëndetësor që është i sëmurë, sidomos në dekadën e fundit”, theksoi Tateshi.
Sipas tij, departamenti i Shëndetësisë në Aleancën për Shqiptarët ndjek me vëmendje këtë problematikë dhe pas shumë analizave dhe përpunim të informatave, në këtë faze akute propozon Pakoja 10 e cila duhet të inkorporohet në ligjin e ri të shumëpritur për mrojtje të shëndetit që është në fazën përgatitore.
“Pakoja 10 nuk është shkop magjik por tentim serioz për zgjidhje të problemit duke motivuar mjekët e ri që punën dhe karierën ta zhvillojnë në vendlindje”, theksoi dr. Bekim Tateshi.
Më poshtë është pakoja me planin 10 pikësh:
PAKOJA 10
1. Në afat më të shkurtër të hartohet harta elektronike e institucioneve shëndetësore publike ku në mënyrë transparente do të prezentohen vendet e lira të punës;
2. Të gjithë mjekët e ri të punësohen menjëherë, ku kriteriumet kryesore të jenë suskesi gjatë studimeve dhe nevojat e sistemit shëndetësor në Maqedoni;
3. Të gjithë mjekët e ri të dalluar të angazhohen në Qendrën klinike universitare në Shkup dhe Spitalet klinike në Tetovë dhe Shtip;
4. Në procedurë të shpejtuar të barazohen koeficientët e rrogave në krahasim me atë të gjyqtarëve;
5. Rroga minimale e mjekëve të jetë 50.000 denarë, ndërsa kujdestaritë e mjekëve të paguhen jo më pak se 3000 denarë;
6. Të gjithë mjekëve që shprehin interes për specializim, shteti t’ju garantoj që pas 5 vjetëve përvoj pune të munden ta regjistrojnë dhe ta nisin të njëjtën dhe të gjitha harxhimet e specializmimit të mbulohen nga Ministria e shëndetësisë si dhe urgjentisht të ndërpriten specializimet private për nënshtetasit e Maqedonisë;
7. Të përmisohen kushtet e punës, siguria juridike dhe fizike duke e sjellur ligjin për të drejtat e mjekëve;
8. Oda e mjekëve, me të gjitha kapacitet që ka, të angazhohet për zgjidhje të problemit e jo të luaj rolin e vëzhguesit pasiv. Ky institucion të sigurojë kredi të volitshme për mjekët e ri që të sigurojnë nevojat bazë për një jetë normale;
9. Fakultetet e mjekësisë të organizojnë “Ditën e karierës” ku studentët e mjekësisë që janë në vitet e fundit të studimeve të njoftohen me mundësitë e punësimit dhe përparimit në karirerë;
10. Qeveria të organizojë takim urgjent me Agjencionet ndërmjetuese (brain-hunters) dhe të ndikojë në mënyrën e prezentimit të kushteve të punës të mjekëve të ri që aplikojnë për të emigruar jashtë shtetit. (INA)