Situata e tensionuar politike në Maqedoni, ka ndikuar edhe në Bashkimin Demokratik për Integrim dhe të gjitha partitë e tjera politike shqiptare.
“Është folur e shkruar shumë se ç’ndodhi me partinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të shqiptarëve të Maqedonisë, Bashkimin Demokratik për Integrime (BDI) prej se përfundoi lufta e vitit 2001 dhe sidomos prej hyrjes dhe përgjatë prezencës së kësaj partie në pushtet, së pari me LSDM-në e pastaj edhe me VMRO-DPMNE.
Është folur dhe shkruar shumë se si disa njerëz të saj devijuan nga fjala dhe betimi i dhënë se kur të merren me “politikë” këta shumë të përfolur, për të keq e për të mirë, tash e 17 vite do të çojnë deri në fund këtë fjalë dhe betim për një jetë më të mirë ekonomike e sociale dhe më me dinjitet për shqiptarët në Maqedoni, pakicë përballë shumicës maqedonase dhe klasës së saj politike që po bllokon arritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.
Është thënë e është shkruar shumë plot 17 vite se si këta njerëz me apo pa vullnet, me dashje apo dashje, me dinakëri apo me naivitet devijuan dhe u përqendruan në mbushjen e kuletave dhe xhirollogarive të tyre personale, duke harruar gjendjen ekonomiko-sociale dhe të drejtat e cunguara dhe të tjerat të munguara për ata në emër të cilëve u thirrën para luftës gjatë saj dhe pastaj edhe pasi që ua morën votën dhe besimin e qytetarëve shqiptarë në pritje që nga fundi i kësaj lufte të shkurtër e deri më sot”, shkruan “Zhurnal”, duke shtuar se po vjen momenti i “spastrimit të BDI-së nga keqbërësit, keqpërdoruesit, e manipulatorët jo të pakët”.
“BDI ndodhet në prag të një hetimi të funksionarëve të ndryshëm të saj që kanë pasur përgjegjësi dhe pozita zyrtare që prej vitit 2002 e deri në 2017…”, thonë burime të BDI-së për këtë media./albeu