Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një konferencë për shtyp ka hedhur poshtë spekulimet e fundit të përhapura nga përfaqësues të BDI-së dhe të Taravarit, duke sqaruar qartë se 155 punonjës të Spitalit Klinik të Tetovës do të marrin kontrata të përhershme pune. “Procedura është përfunduar dhe vendimi është i qartë. U kemi dhënë fund viteve të pasigurisë dhe talljes me punëtorët shëndetësorë që kanë punuar me kontrata të përkohshme, shpesh nën trysni politike. E kemi zgjidhur një problem që ata e krijuan dhe e ushqyen me dekada”, deklaroi Aliu.
Ai theksoi se është e turpshme mënyra se si, sipas tij, BDI dhe ish-ministri Arben Taravari po përpiqen të manipulojnë opinionin përmes trillimeve, duke përdorur lajme të rreme për të mbuluar paaftësinë dhe dështimet shumëvjeçare në sektorin e shëndetësisë. “Turp, madje edhe për standardet e tyre të gënjeshtrave! 155 punëtorë nuk do të pushohen, përkundrazi, do të marrin vendime të përhershme pune – pikë. Këta njerëz e meritojnë këtë siguri që prej kohësh, por janë penguar nga politika e keqe dhe interesat e ngushta partiake”, shtoi ministri.
Duke përmendur heshtjen publike të Taravarit, Aliu u shpreh se “ai ka zgjedhur të bëhet mashë e BDI-së, partisë që e shantazhonte dhe tani e përdor si figurë të saj. Kjo nuk është thjesht rënie, është kapitullim”. Në fund, Aliu u zotua se qeveria do të vazhdojë me punë konkrete dhe zgjidhje reale: “Rezultatet janë përgjigjja jonë ndaj gënjeshtrave të tyre. Ne nuk do të ndalemi”.