Anëtari i kryesisë së Lëvizjes BESA dhe kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu përmes një postimi në rrjetet sociale i ka dërguar një porosi kryeministrit shqiptar Edi Rama, se të mos bie pre e përrallave që u’a sajon Artan Grubi dhe BDI-ja.
Ai këtë e ka ndërlidhur me vizitën e sotme të kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca, ku në takimin me homologun e tij u pa se sa respektohet gjuha shqipe, ku Glauku fliste shqip, ndërsa Talati maqedonisht!
Ja postimi i plotë:
Alo Edi Rama,
A po e shihni, sa zyrtare është gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut?
Zotri Kryeministër, jo çdo gjë që ju thuhet, sidomos në nivele të politikës, ju duhet ta shpallni sikur të ishte e vërtetë, sepse në shumicën e rasteve ato që ju thuhen, përveç servilosjes kanë për qëllim edhe fshehjen fakteve dhe të vërtetës së hidhur.
Prandaj, nuk është korrekte ndaj shqiptarëve të RMV-së, që çdo përrallë që u’a sajon Artan Grubi dhe BDI-ja ta merrni si të mirëqenë, sepse e nënvlersoni veten edhe shtetin shqiptar, sidomos kur nga ju kërkohet që të deklaroni se “gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut”, dhe ju e thoni këtë, pa mos hezituar!
Por, realiteti i demanton gjërat z. Kryeministër!
Besoj e keni parë takimin e dy kryeparlamentarëve Xhaferit dhe Konjufcës. Takim mes dy shqiptarësh, ku njëri flet në gjuhën maqedonase, e tjetri në shqip. Dhe kjo ka ndodhur gjithnjë, sepse gjuha shqipe nuk është zyrtare siç ju thuhet, e sidomos në këta nivele.
Një Kryeministër, para se t’u besoje propagandave partiake duke anashkaluar realitetin, paraprakisht është e udhës t’i verifikojë ato që do i thotë.
Gjuha shqipe fatkeqësisht nuk është zyrtare në nivelet më të rëndësishme shtetërore, si President i Shtetit, Ministrinë e Jashtme dhe të Brendshme, Përfaqësitë e jashtme dhe të brendshme diplomatike, gjyqësor, prokurori, noteri, avokaturë, etj.etj. Këtë e dijmë mirë të gjithë ne që jetojmë këtu dhe shpresoj ta keni kuptuar edhe ju nga paraqitja karikaturiste e kryetarit të parlamentit të RMV Talat Xhaferit në takimin përballë Glauk Konjufcës.
Z. Rama duhet ta dini se Artan Grubi ka histori dhe skandale, që tregojnë se ai ia huq fare. Ai bëri selfi para bustit të Aco Shopovit, duke aluduar në status profilin e tij kinse është Nexhat Agolli, edhe atë në Shkup.
Ju lutemi mos i merrni seriozisht dhe si të vërteta këto gjëra, që dikush në kurrizin tuaj bën propagandë politike, duke mos iu bë vonë që juve u paraqet skajshmërisht joserioz para shqiptarëve të Maqedonisë.
Shpresojmë dhe kërkojmë nga ju, që në të ardhmen të jeni më i vëmendshëm dhe mos lejoni që me figurën tuaj të bëhen propaganda të politikave ditore të Artan Grubit!“- shkruan ai.