Alternativa pyet dhe sfidon ASh-në: Në Qeveri për ta shpëtuar Ahmetin apo për ta luftuar korrupsionin

Gazetari: Z.Murtezani, cili është qëndrimi juaj për hyrjen e mundshme të ASh-së në Qeveri?

“Nëse ASh ka vendosur të hyjë në Qeveri për ta shpëtuar Ali Ahmetin, kjo është çështje e tyre, por nuk është mirë që kjo tentohet të kamuflohet me gjoja gatishmërinë e tyre për ta luftuar korrupsionin dhe për ta ndihmuar vendin në rrugën drejt BE-së. Ja edhe një propozim konkret deri tek ata: Kur të mblidhen për ta vendosur përfshirjen eventuale në Qeveria, le ta miratojnë edhe amendamentin e Alternativës për ta parandaluar vjetërsimin e korrupsionit politik dhe me këtë të tregojnë në vepër se kanë potencial për ta luftuar korrupsionin. Sa i takon atyre që e trumbetojnë përfshirjen e ASH-së në Qeveri, është mirë që para opinionit të shpjegojnë nëse kjo gjë ka ndonjë plan për të siguruar numrin e 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese, ose nëse kjo do të shkaktojë copëzimin ose zvogëlimin e potencialit koalicionues drejt BE-së”, tha Orhan Murtezani, zëdhënës i Alternativës.

G: Ministria e Shëndetësisë është një prej atyre që përmendet nëse eventualisht ASH merr vendim për t’u futur në Qeveri. Cili është qëndrimi juaj për këtë, sepse jeni partia që kuadri i juaj drejton me Shëndetësinë?

“Vlen ta rikujtojmë opinionin se në momentin kur ne jemi përfshirë në Qeveri, vendi nuk kishte shumicë parlamentare dhe ne pos asaj që siguruam shumicë parlamentare, mundësuam edhe hapjen e bisedimeve me BE-në. Në këtë drejtim ne kemi një marrëveshje për bashkëqeverisje deri në vitin 2024. Derisa nuk ka ndonjë ndryshim konkret në këtë drejtim nuk mund të komentojmë”.

G: Do të ishit të gatshëm ta lëshonit këtë resor, ose cilët resorë, sepse kulaçi qeverisës duhet të ndryshohet pastaj, të ndahet?

“Po e potencoj edhe një herë që ne kemi një marrëveshje për bashkëqeverisje që zjgat deri në zgjedhjet e vitit 2024 dhe ne i qëndrojmë kësaj marrëveshjeje. Në qoftë se eventualisht ndryshon diçka në këtë drejtim, atëherë janë organet e partisë që duhet të marrin vendime ndryshe”.

G: Në këtë rast, sa konsiderohet nga ana juaj lëshimi i Qeverisë?

“Ashtu siç thash, ne nuk kemi hyrë në Qeveri për ta lëshuar Qeverinë ose për të destabilizuar. Ne kemi hyrë në Qeveri që me potencialin tonë kadrovik ta ndihmojmë Qeverinë, ashtu siç e kemi ndihmuar për të filluar procesi i bisedimeve me BE-në, ashtu siç e kemi ndihmuar për t’u përballur me krizën energjetike dhe pandeminë dhe të njëjtën po e bëjmë edhe tani. Pra, ne gjithë potencialin tonë e kemi vendosur në shërbim për ta vendosur për ta ndihmuar qeverinë dhe për ta konsumuar marrëveshjen për bashkëqeverisje deri në vitin 2024”.

G: Krejt kjo që përflitet, për futjen e mundshme të ASH-së në Qeveri është rreth asaj që tashmë po quhet “Aleancë për Europë”. Çfarë nëse mospajtimet eventuale tuaja për hyrjen e ASH-së në Qeveri, do të prishnin rrugën europiane të vendin, sidomos deri në nëntor?

“Ashtu siç e potencova edhe më herët, është mirë që ata që e trumbetojnë kyçjen e ASH-së, të shpjegojnë nëse kjo garanton numrin e 80 deputetëve, në qoftë se jo, atëherë i bie që të zvogëlohet potenciali koalicionues në rrugën drejt BE-së. 80 deputetë duhet për të votuar në parlament ndryshimet kushtetuese, e jo për të qenë 80 deputetë pjesë e shumicës qeveritare”.

G: Ju, në të ardhmen, pavarësisht zhvillimeve që mund të ndodhin, nëse do të jeni apo jo qeverisë, a i qëndroni asaj se do t’i mbështesni ndryshimet kushtetuese?

“Ne jemi futur kësaj rruge me një marrëveshjeje për bashkëqeverisje deri në vitin 2024 dhe ne nuk i ndryshojmë përcaktimet tona programore dhe vullnetin tonë për ta ndihmuar vendin në këtë drejtim”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu