Ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Kristine Althauzer nuk beson se politikanët në Maqedoni do të injorojnë porositë e Johanes Hahnit.
Në pyetjen e gazetarit të TV SHENJA-së, se si komentoni situatën politike në Maqedoni pas vizitës së komisarit Hahn, Althauzer tha se komisari Hahn ka treguar interesin që ka BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare për vendin.
“Qëllimi është rikthimi i Maqedonisë në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO. Mund vetëm të përsërit atë që e tha ai, ndërsa kjo është se ka shumicë parlamentare dhe duhet të vazhdohet me formimin e Qeverisë”, tha ambasadorja gjermane.
Ndërkaq ajo ka porositur liderët politik “të ecin përpara dhe ta bëjnë atë për të cilën janë zgjedhur dhe të gjejnë kompromis për zgjidhjen e situatës”.
Ajo ka shtuar se nuk beson se do të injorohen porositë e komisarit Johanes Hahn.