Ambasadori gjerman u kërkon deputetëve të shmangin zgjedhjet e reja në pandemi

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Në një postim në Twitter, ai ka kërkuar që të njëjtën ta bëjnë të gjithë deputetët dhe që të shmangin zgjedhjet e reja.

Me shpresë se të gjithë deputetët e zgjedhur do të ndjekin këtë vendim dhe të vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi partitë. Nuk mund ta imagjinoj rrezikun e zgjedhjeve të reja në pikun e pandemisë”, ka shkruar ai.

Të martën LDK-ja vendosi që të shkojë në seancën për votimin e ish-nënkryetares së saj, Vjosa Osmani, për presidente.

LDK-ja ka fituar 15 ulëse në Kuvend. Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm.

Osmani në listën e VV-së në garë mori pjesë si pretendente për presidente. Ajo mori mbi 300 mijë vota. Nuk dihet se kur do të mbahet seanca për presidentin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu