Analisti serb: Asociacioni është “kamuflim” i Vuçiç-it, do të pranojë diçka tjetër në dialog

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gazetari serb, Boshko Jakshiç, në një prononcim për “Zërin e Amerikës” vlerësoi se vizitat e shpeshta të të dërguarve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për një marrëveshje ndërmjet palëve në dritën e njëvjetorit të fillimit të agresionit rus në Ukrainë nuk garantojnë rezultate.

Jakshiç tha se nuk e sheh se si mund të fillojë dialogu nëse baza e bisedimeve është propozimi franko-gjerman, i cili është i pranueshëm për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por jo edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Më duket se gjërat po shkojnë në dy binarë paralelë: amerikanët po bëjnë presion te Kurti për Asociacionin, dhe në të njëjtën kohë po rritet edhe presioni ndaj Vuçiç-it që në një mënyrë apo në një tjetër të njohë një nivel të caktuar të sovranitetit të Kosovës. Evropianët japin përshtypjen se atyre u përshtatet që amerikanët janë të parët që e thonë kaq hapur”, theksoi Jakshiç.

Ndërkaq, duke komentuar thirrjet nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Jakshiç tha se ky mekanizëm, ndonëse është shpallur në Beograd si një “qëllim madhor” dhe realizimi i tij konsiderohet dhe shpallet paraprakisht si një fitore e madhe për Serbinë, kjo gjë nuk reflektohet në praktikë.

Por mua më duket se Asociacioni është një lloj rrjete kamuflimi, në mënyrë që Vuçiç të merrte diçka me të cilën mund të ‘mbulohet’ para publikut serb sepse do të pranojë disa plane të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën, të cilat, që të gjitha janë shumë jopopullore”.

Ai konkludoi se të dyja palët janë ende shumë larg një marrëveshjeje dhe se ka parashikime “optimiste” se gjithçka do të përfundojë në pranverën e vitit 2023, megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë e surprizave sepse negociatat janë konfidenciale dhe publiku nuk e di se për çfarë po flasin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu