Anglishtja “pushton” maturën, 13 mijë nxënës zgjedhin gjuhën e huaj më të kërkuar

13.457 nxënës zgjedhin gjuhën angleze si lëndë me zgjedhje; numër i ulët për filozofi, rusisht e italisht. Ministrja Janevska: Kopjimi ka rënë ndjeshëm.

Sot, maturantët në Maqedoninë e Veriut do t’i nënshtrohen provimit të dytë ekstern të Maturës Shtetërore, i cili zhvillohet sipas zgjedhjes së tyre personale. Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), më së shumti nxënës kanë aplikuar për testimin në gjuhën angleze – gjithsej 13.457 maturantë.

Lëndët e tjera kanë numër më të ulët të kandidatëve: 1.246 nxënës kanë zgjedhur matematikën, 73 gjuhën gjermane, 24 gjuhën frënge dhe 62 estetikën. Ndërsa vetëm shtatë maturantë do të testohen në filozofi, katër në gjuhën ruse dhe tre në gjuhën italiane.

Provimi i parë ekstern, ai i gjuhës amtare dhe letërsisë – i detyrueshëm për të gjithë nxënësit – u mbajt më 31 maj. Në atë provim, sipas QSHP-së, morën pjesë 9.969 nxënës për gjuhën maqedonase, 4.339 për gjuhën shqipe, 292 për gjuhën turke dhe 10 për gjuhën serbe.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi pas provimit të parë se këtë vit është regjistruar një numër dukshëm më i vogël i tentimeve për kopjim. Ajo tha se dhjetëra nxënës janë larguar nga provimi pasi janë kapur duke përdorur telefona celularë, por vlerësoi se situata është më e mirë krahasuar me vitin e kaluar.

“Procesi nuk është përfunduar ende, por numri i studentëve që kopjuan është ulur ndjeshëm. Duke marrë parasysh se sa u larguan vitin e kaluar, besoj se ka përparim dhe pres që të bëhet gjithnjë e më mirë çdo vit”, theksoi ministrja Janevska.

Ajo bëri thirrje për vigjilencë të shtuar nga ana e vlerësuesve dhe përgjegjësi nga vetë nxënësit, duke paralajmëruar se mashtrimi në provim mund të rezultojë me humbje të një viti të tërë shkollor.

Për mbikëqyrjen e procesit të testimit, edhe këtë vit janë angazhuar rreth 2.000 vlerësues nga Drejtoria për Zhvillimin e Arsimit. Provimet mbahen në shkollat që i plotësojnë kriteret sipas Rregullores për Maturën Shtetërore, ndërsa nxënësit e shkollave që nuk i plotësojnë këto kushte do të testohen në hapësirat e fakulteteve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu