Anija me flamur të Panamasë “Ever Given” sot u largua nga ujërat territoriale të Egjiptit pasi u mbajt nga autoritetet lokale për 107 ditë pasi bllokoi Kanalin e Suezit. Javën e kaluar, autoriteti i Kanalit të Suezit përfundoi procedurat për të lëshuar anijen gjigante të kontejnerëve pasi kishin arritur marrëveshje për zgjidhjen financiare me pronarin e anijes.
Burime detare për AA theksuan se anija tashmë është larguar nga ujërat territoriale. Sipas ueb faqes së kërkimit të anijeve, anija lundroi në ujërat ndërkombëtare në Mesdhe. Egjipti u dakordua për një zgjidhje financiare prej 540 milionë dollarë pasi autoriteti i Kanalit kërkoi rreth 960 milionë dollarë në fillim të mosmarrëveshjes.
Më 24 mars, anija “Ever Given” e gjatë 400 metra, në pronësi të kompanisë japoneze Shoei Kisen KK, u përplas në pjesën jugore të Kanalit të Suezit derisa po lundronte nga Kina për në Holandë me pothuajse 220 mijë tonë mallra, duke çuar në mbylljen e korsisë së transportit të rrugës ujore deri sa u rihap më 29 mars.
Aksidenti bllokoi tregtinë ndërkombëtare në një nga rrugët kryesore ujore të botës me më shumë se 320 anije, përfshirë anije transporti nafte, të ngecur në hyrjet e kanalit, duke shkaktuar një krizë në zinxhirin e furnizimit botëror, veçanërisht në Evropë.









