Rreth 45 për qind e qytetarëve të Maqedonisë mendojnë se kriza aktuale politike në Maqedoni mund të tejkalohet me zgjedhje të reja parlamentare, kurse 35 për qind vlerësojnë se kriza do të tejkalohet nëse presidenti Gjorge Ivanov ia jep mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev.
Këto janë rezultatet e anketës së Institutit për Studime Politike (ISP), që janë botuar sot.
Mirëpo rezultatet tregojnë se disponim diametralisht të kundërt mes shqiptarëve dhe maqedonasve lidhur me mënyrën e tejkalimit të krizës. Prej të anketuarve maqedonas, 55 për qind mendojnë se zgjidhje më e mirë për krizën janë zgjedhjet e parakohshme, kurse vetëm 30 për qind mendojnë se zgjidhje më e mirë është që mandate t’i jepet kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, shkruan Gazeta Lajm.
Për dallim prej maqedonasve, 55 për qind e shqiptarëve vlerësojnë se kriza mund të tejkalohet nëse Ivanov ia jep mandatin Zaevit, kurse vetëm 9 për qind zgjidhjen e shohin në zgjedhje të parakohshme. Rreth 35 për qind e të anketuarve shqiptarë janë deklaruar se nuk kanë qëndrim lidhur me këtë çështje.
Disponim i njëjtë mbretëron edhe sa i përket përkrahjes për punën e Prokurorisë Speciale. Në nivel republikan, 41.7 për qind e qytetarëve të anketuar janë kundër vazhdimit të mandatit të PSP-së, kurse 40.6 për qind mendojnë se duhet t’i vazhdohet mandati, shkruan Gazeta Lajm.
Te maqedonasit, 52 për qind vlerësojnë se mandati i PSP-së nuk duhet të vazhdohet, kurse 29 për qind janë pro vazhdimit. Kurse te shqiptarët 80 për qind mendojnë se PSP-së duhet t’i vazhdohet mandati, kurse vetëm 5 për qind janë kundër.