Anulohet seanca e sotme kundër Gruevskit në rastin “Shuplakat”

Nikolla Gruevski dhe Andrej Zhernovski u ballafaquan në gjykatë, por për vetëm gjysmë ore. Seanca për dhunën në Komunën Qendër të vitit 2013 u anulua për shkak të mungesës së pesë të akuzuarve që nuk kishin dhënë asnjë arsyetim para fillimit të seancës. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Gavrill Bubevski i kërkoi gjykatës që të lëshojë fletëarrest për të gjithë ata që mungojnë në seancë pa dhënë asnjë arsyetim, pasi po pengojnë mbarëvatjen e procesit. Por, gjykatësja vendosi që të jepet afat prej 8 ditësh në mënyrë që personat që mungojnë të sjellin vërtetime adekuate për të arsyetuar mungesën ndërsa për njërin që tashmë dy seanca me radhë mungon, u vendos që të sillet me polici.

Zhernovskin, i cili ishte thirrur si dëshmitarë, me vete kishte edhe dhjetëra persona të dëmtuar nga dhuna. Prezent ishte edhe Mile Janakievski dhe dhjetëra të akuzuar për orkestrim të ngjarjeve, demolim të objektit të komunës dhe sulm ndaj këshilltarëve komunal të Qendrës.

Gruevski erdhi në gjykatë me 20 minuta vonesë me truprojen e tij dhe me zëdhënësin e Qeverisë, Aleksandar Gjorgiev, ndërsa hyri nga hyrja zyrtare e jo sikur të akuzuarit e tjerë në hyrjen standarde të paraparë për palën e akuzuar. Gjykata nuk lejoi incizimin e seancës sikurse seancën e kaluar pasi mbrojtja nuk lejoi një gjë të tillë.
Këtë Andrej Zhernovski e cilësoi si demonstrim i forcës nga një person i cili po numëron ditët e tij të fundit në pushtet.

“Këto janë momentet e fundit të Gruevskit, dhe besoj edhe momentet e fundit të gjyqësorit të partizuar. Ky gjykim është vërtetim se ai gjithmonë porosit linçim dhe dhunë ndaj kunërshtarëve politike, sidomos ndaj atyre prej të cilëve i humb zgjedhjet… Nuk e kam të qartë se si e lejojnë të hyjë me truprojen, dhe gjithmonë hyn nga hyrjet anësore e jo sikur të gjithë ne. Kjo është demonstrim i forcës, se ende sundon, por mua më duket se ai është i frikësuar pasi nëse jo sot, nëse jo nesër, pasnesër do të përgjigjet për gjithçka që ka bërë”, deklaroi Zhernovski.

Hyrjen anësore gjykata e arsyetoi me çështje sigurie, duke thënë se sigurimi i Gruevski i cili është i punësuar në MPB, ka vlerësuar se ai mund të jetë i rrezikuar. Ndoshta, edhe kjo ishte arsyeja pse Gruevski nuk u ndal të japë deklaratë para mediave. Por, vetëm pas gjysmë ore nga mbarimi i seancës, VMRO DPMNE iu kundërpërgjigj Zhernovskit me shkrim.

“Zhernovski jeton dhe ushqehet nga ofendimet, gënjeshtrat dhe arroganca. Po të mos ishin këto raste të montuara, LSDM dhe Zhernovski nuk do të kishin me çfarë të bëhen aktual. Zhernovski tani është në garë për vardisje ndaj LSDM-së me shpresë të madhe se përsëri do ta kandidojnë për kryetar të komunës Qendër”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Prokurorët e Speciales përsëri kërkuan video-incizimin e seancës së parë gjyqësore për të cilën kishin disa vërejtje, por gjykatësja Tatjana Mihajllova u tha se ai incizim është për nevojat e gjykatës dhe nuk do t’ua dorëzojë prokurorëve.
“Kjo nuk është një video shtëpie që të jetë private. Këtu bëhet fjalë për një institucion i cili duhet të përmbahet në dinjitetin e tij. Ligji parasheh se në cilat raste bëhet inçizimi dhe në çfarë mënyrë bëhet kjo”, tha prokurori gavrill Bubevski.

Gjykatësja Tatjana Mihajllova ka refuzuar përdorimin e “bombave” si prova në rastin e komunës Qendër, por Bubevski shpreson se Gjykata Supreme do të vendos pro përdorimit të materialeve të përgjuara në proces gjyqësor pasi gjithë kjo është në interes të zbardhjes së plotë të rastit. Në seancën e sotme Prokuret Katica Janeva dhe Fatime Fetai nuk ishin prezente për shkak të një udhëtimi zyrtar, por në seancën e ardhshme e cila u caktua për 28 qershor, ata përsëri do të ballafaqohen me Gruevskin.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu