Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ka anuluar procedurën e prokurimit publik për përzgjedhjen e kompanisë që do të furnizonte 120 autobusë elektrikë ekologjikë për transport publik, si dhe stacionet e tyre të karikimit.
Nga ministria informojnë se në thirrjen publike, e shpallur më 17 qershor dhe me afat për dorëzimin e ofertave deri më 24 korrik 2025, ka konkurruar vetëm një kompani, përcjell INA.
“Pas vlerësimit të kryer, Komisioni përgjegjës për realizimin e prokurimit publik konstatoi se kompania nuk i plotësonte kriteret sipas thirrjes së publikuar,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Ministria bën të ditur se në periudhën në vijim do të kryejë analiza shtesë në lidhje me prokurimin e autobusëve elektrikë dhe do ta informojë publikun për hapat e ardhshëm. Edhe pse nuk janë dhënë shifra konkrete se sa do të kushtonte ky projekt, sipas projeksioneve dhe modeleve të vendeve tjera, blerja e 120 autobusëve me stacionet për mbushje do të kushtonte nga 30-60 milionë euro.