Apeli i mjekes: Ambientet ku mblidhen njerëz, të rrezikshme

Shefja e Infektivit në QSUT, Najada Çomo konstatoi situatën e vështirë në spitalet Covid me një fluks në rritje të të sëmurëve. Në një dalje publike ajo kërkoi më shumë ndërgjegjësim nga qytetarët, për evitimin sa më shumë të ambienteve publike.

Në 5 muajt e fundit, situata e të sëmurëve me koronavirus është përkeqësuar dhe mjekët e infektivit po konstatojnë lodhjen në luftën me Covid. Shefja e infektivit në QSUT, Najada Çomo iu drejtua personalisht qytetarëve me një mesazh, ku vëren se lufta me Covid ka nisur që nga dimri dhe vazhdon edhe në muajt e verës.

“Jemi në verë dhe prej pesë muajsh, fluksi i pacientëve ka ardhur duke u shtuar me të sëmurë rëndë e me humbje jete. Kam një apel që këto 5 muaj pune intensive që nga dimri deri në verë janë lodhje”

Për mjekët, këshillat nuk janë klishe. Duke pare fluksin e të sëmurëve që sa vjen e shtohen, Najada Çomo kërkon të shmangen sa më shumë ambientet publike dhe grumbullimet si vende të rrezikshme për t’u infektuar.

“Ju lutem respektoni masat e thëna që janë elementë shumë të pakët, si maska, distanca fizike dhe frekuentoni sa më pak ambientet publike, ku mblidhen shumë njerëz se janë vendi më i rrezikshëm për tu infektuar nga COVID-19. Virusi “është midis jush, e është dhe midis nesh”. Ne jemi për t’u shërbyer juve e ju jeni për të mbrojtur shëndetin tuaj e për tu pakësuar numri i personave që vijnë në spital”

Që nga fillimi i pandemisë, situata është përkeqësuar ndjeshëm në muajin Korrik. 93 pacientë humbën jetën vetëm këtë muaj, në krahasim me 64 që ishin në total në 4 muajt e mëparshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu