“Dramë në veri të Mitrovicës”
Arrestimi i drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq sot është lajmi kryesor në ballinat e gazetave serbe. E përditshmja Alo! e ka cilësuar dramë arrestimin dhe dëbimin e Gjuriq. Gjuriq u arrestua dje nga Policia e Kosovës në veri, për shkak se kishte hyrë në territorin e Kosovës pa leje. Ai u dërgua në stacionin Qendra në Prishtinë e më pas u dëbua nga Kosova.
Arrestimi i tij u bë derisa ai ishte brenda objektit të Gjykatës në Mitrovicë. Edhe përkundër faktit se shumë qytetarë ishin mbledhur para objektit në veri, Policia ia doli të futej në objekt duke përdorur shok-bomba, kur edhe e morën Gjuriqin.