As Mbappe e as Kane, CIES njofton me fituesin e Topit të Artë

Debati për fituesin e Topit të Artë ka marrë një tjetër kthesë, pasi Observatori i Futbollit CIES ka publikuar renditjen e futbollistëve me paraqitjet më të mira gjatë vitit të fundit, ku në vendin e parë gjendet sërish Lamine Yamal.

Talenti i Barcelonës kryeson listën me 95.8 pikë, duke lënë pas disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror. Renditja është publikuar vetëm disa orë para ceremonisë së Topit të Artë, e cila mbahet në Londër.

Studimi i CIES bazohet në tri kritere kryesore: paraqitjet individuale të futbollistëve në aspekte të ndryshme të lojës, niveli i garave ku ata kanë luajtur dhe rezultatet e arritura nga skuadrat e tyre.

Pas Yamalit renditet Michael Olise i Bayern Munichut me 93.9 pikë, ndërsa në vendin e tretë është bashkëlojtari i tij Harry Kane me 90.5 pikë.

Surpriza më e madhe e kësaj renditjeje është Lionel Messi. Pavarësisht se është 39-vjeçar, ylli argjentinas renditet i katërti me 90.4 pikë, duke dëshmuar se vazhdon të jetë në mesin e futbollistëve më të mirë në botë.

Sipas CIES, Messi do të kryesonte renditjen nëse nuk do të merrej parasysh niveli sportiv i garave ku luajnë futbollistët. Kjo do të thotë se niveli i kampionateve ndikon dukshëm në pikët përfundimtare.

Në dhjetëshen e parë ka një prani të fuqishme të Barcelonës, pasi përveç Yamalit, në vendin e tetë renditet Pedri me 90.3 pikë, ndërsa Pau Cubarsi zë pozitën e dhjetë me 90 pikë.

Kylian Mbappe renditet i gjashti me 90.4 pikë, pas Desire Doue, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia zë vendin e shtatë. Në dhjetëshen e parë gjendet edhe Erling Haaland, i nënti me 90 pikë.

Një prej të dhënave më interesante është pozita e Ousmane Dembeles, fituesit të fundit zyrtar të Topit të Artë, i cili gjendet vetëm në vendin e 27-të të kësaj renditjeje statistikore.

Megjithatë, renditja e CIES nuk përcakton fituesin e Topit të Artë, pasi çmimi ndahet përmes votimit. Sidoqoftë, ajo i shton edhe më shumë interesimin garës, ku Yamal vazhdon të marrë vlerësime për paraqitjet e tij.

10 futbollistët e parë sipas CIES:

1. Lamine Yamal (Barcelona) – 95.8 pikë

2. Michael Olise (Bayern Munich) – 93.9

3. Harry Kane (Bayern Munich) – 90.5

4. Lionel Messi (Inter Miami) – 90.4

5. Désiré Doué (Paris Saint-Germain) – 90.4

6. Kylian Mbappe (Real Madrid) – 90.4

7. Khvicha Kvaratskhelia (Paris Saint-Germain) – 90.3

8. Pedri (Barcelona) – 90.3

9. Erling Haaland (Manchester City) – 90.0

10. Pau Cubarsi (Barcelona) – 90.0./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu