“As Stalini dhe as Tito nuk bënë atë që bëri Vuçiqi”: Presidenti i Serbisë reagon ndaj shkrimeve të mediave serbe, rreth vizitës së djalit të tij në Sarajevë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë një reagim ndaj mediave serbe të cilat kanë shkruar rreth vizitës së djalit të tij, përkatësisht rreth pjesëmarrjes së djalit të tij Danilo, në një ceremoni antikushtetuese në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Vuçiq, përmes një postimi në rrjetet sociale ka shkruar – me rastin e shkrimit të mediumit serb Danas – se “sulmet më të neveritshme kanë nisur jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj fëmijës së tij”.

Në lidhje me shkrimin “… As Stalini dhe as Tito nuk kanë bërë kurrë atë që bëri Vuçiq” të mediumit serb, ai ka publikuar një fotografi me djalin e tij.

Ne bëmë një foto dy ditë më parë”, ka shkruar Vuçiq dhe ka shtuar se “menjëherë pas kësaj kanë filluar sulmet më të neveritshme jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj fëmijës, sepse ai shkoi në festën e Ditës së Republikës Srpska në Banja Lluka dhe Sarajevë”.

Ai shtoi se “mediat në Beograd, Zagreb dhe Sarajevë gënjejnë njëlloj, se ai ishte pjesë e delegacionit zyrtar të Serbisë”, dhe se sipas tij, “shkuarja në të dyja vendet ishte vetëm dëshira e Danilos dhe asgjë më shumë”.

Meqë ra fjala, si baba, jam krenar që dashuria e djalit tim të madh për RS-në dhe popullin tonë në Kosovë është më e rëndësishme se të gjitha gjërat e tjera dhe shpresoj se kam kontribuar të paktën sadopak duke e rritur në një frymë të tillë. Tani, shkruani atë që dëshironi. Rroftë Srpska, rroftë Serbia”, ka shkruar në pjesën e fundit, presidenti i Serbisë.

Reagimi i tij vjen pasi media të ndryshme në Serbi dhe rajon kanë raportuar se djali i tij, Danilo, i cili nuk ka një pozicion zyrtar, ishte ndër “të ftuarit e nderit” në të ashtuquajturën “festë të Ditës së Republikës Srpska” në Sarajevë.

Bëhet fjalë për një festë e cila është shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës, shkruajnë mediat e huaja. Madje, siç shkruante Istraga.ba, Danilo Vuçiq, shoqërohej nga pesë pjesëtarë të armatosur të MPB-së së Serbisë.

Ndryshe, raportojnë mediat e rajonit, Aleksandar Vuçiq ka qenë vetëm një herë për të festuar “Ditën e Republikës Srpska”, dhe atë në vitin 2016, kur u festua për herë të parë.

Dhe këtë vit atje nuk ka shkuar as kryeministrja Ana Brnabiq, e cila ka marrë pjesë në vitet e kaluara. Sidoqoftë, atje ishin shefi i diplomacisë Ivica Daçiq dhe ministra të tjerë të Serbisë.

Ndërkohë lidhur me këtë festë, gjatë ditës së hënë ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“… vendimi i (Milorad) Dodik për të festuar 9 janarin është i paligjshëm. Ai shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës sipas të cilit festimi është antikushtetues”, citohet të ketë thënë më tej ambasada amerikane.

Ata kanë përkujtuar se neni 3 i Marrëveshjes së Dejtonit është i qartë dhe se Republika Srpska duhet të respektojë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse i pëlqejnë apo jo.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu