ASH Sela ndahet nga AKI: Do të veprojmë në mënyrë autonome

Aleanca për Shqiptarët ka mbajtur mbledhje të kryesisë ku është sjell vendim që të veprohet në mënyrë autonome, ndërkaq paralajmërohet se edhe në Kuvend do të inicojnë procedurë që grupi parlamentar i tyre të veprojë si i pavarur, njofton TV21

Këtë e kanë bërë të ditur nga ASh-ja e Ziadin Selës, duke shtuar se ky vendim erdhi pasi u diskutua situata aktuale politike, procesi dhe epilogu i zgjedhjeve lokale, si dhe hapat e mëtejmë të subjektit të tyre politik.

“Pas diskutimeve përmbajtësore dhe shumë të rëndësishme, anëtarët e Kryesisë në mënyrë unanime sollën vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend edhe vendimin për veprim si grup i pavarur”, thuhet në njoftim.

Megjithatë shtojnë se ata do të mbeten në opozitë dhe kanë zbuluar tri shtyllat përcaktuese të tyre.

“Aleanca për Shqiptarët mbetet zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve, duke ruajtur komunikimin me subjektet opozitare shqiptare, për çka në kohë kemi njoftuar edhe partnerët tanë të deritanishëm të koalicionit.
Kauza kombëtare, barazia e shqiptarëve në shtet dhe Kushtetutë, si dhe sanimi i dëmeve që ka shkaktuar Qeveria aktuale mbeten përcaktimi jonë parësor i angazhimit politik”
, thuhet më tej në kumtesën e ASh-së së Selës.

Paralajmërojnë takime me qytetarë dhe politikanë, për siç thonë, forcimin e radhëve të tyre.

“Periudhën në vijim, strukturat dhe eksponentët e partisë do të fillojnë me takime jo vetëm të anëtarëve të partisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, aktorëve qytetar e politik dhe të çdo individi ose organizimi për të forcuar radhët tona dhe për të zhvilluar betejën tonë politike në këto momente shumë të ndjeshme politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, thuhet më tej në njoftim./TV21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu