ASh: VLEN hesht – Serbia konsolidon ndikimin strategjik në Maqedoninë e Veriut

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në sektorët strategjikë të vendit, ku kapitali dhe ndikimi i Serbisë po konsolidohet përmes një strategjie të koordinuar në telekomunikacion, bankë dhe media.

Në vetëm pak muaj, Telekom Serbia ka shpallur investime të reja prej 50 milionë eurosh, pas 18 milionëve të derdhur më herët, me objektiv të qartë për t’u bërë operatori kryesor i telekomunikacionit në Maqedoninë e Veriut. Paralelisht, Alta Banka e Serbisë po hyn në sektorin bankar përmes blerjes së Stopanska Banka AD Bitola – një proces që pritet të marrë miratimin final nga institucionet rregullatore. Në frontin mediatik, rrjeti Newsmax Balkans dhe kanalet Arena Sport po zgjerojnë praninë kulturore e gjuhësore serbe në tregun e brendshëm.

Këto nuk janë investime të zakonshme. Kur telekomunikacioni, bankat dhe media përqendrohen në duart e një aktori të vetëm, krijohet një kapacitet i strukturuar për ndikim politik, ekonomik dhe shoqëror. Në këtë rast, ky aktor është një shtet që e ka artikuluar hapur agjendën e tij për të forcuar “Botën Serbe” në rajon.

Më shqetësuesja është heshtja e qeverisë dhe e institucioneve kompetente. Banka Popullore dhe Komisioni për Letrat me Vlerë veprojnë si miratues teknikë, pa asnjë analizë të ndikimit strategjik. Ndërkohë, VLEN – që para zgjedhjeve premtonte mbrojtje të interesave kombëtare dhe transparencë – sot hesht përballë një procesi që prek drejtpërdrejt sovranitetin ekonomik dhe sigurinë e shtetit.

Alta Banka e Serbisë, e lidhur ngushtë me rrjetin politik të Vuçiçit dhe me Milan Radoiçiçin – organizatorin e aktit terrorist të Banjskës në Kosovë – është në prag të marrjes së kontrollit të Stopanska Banka AD Bitola nga oligarku i listës së zezë amerikane, Orce Kamçev, financues i VMRO-DPMNE. Ky zhvillim, i heshtur nga qeveria, e vendos Maqedoninë e Veriut në trajektoren e rrezikshme Budapest–Beograd–Banja Llukë–Shkup, duke e futur sektorin bankar në orbitën e “Botës Serbe”.

Aleanca për Shqiptarët kërkon ndërprerjen e menjëhershme të procedurave për miratimin e këtyre transaksioneve deri në realizimin e një analize të plotë të ndikimit strategjik, transparencë të plotë nga qeveria mbi burimin e kapitalit dhe lidhjet e tij politike, por edhe hapjen e një debati publik mbi kontrollin e sektorëve strategjikë nga kapitali i huaj me agjendë politike.

Sovraniteti nuk cenohet vetëm me ushtri e kufij – ai humbet gradualisht kur ekonomia dhe infrastruktura kritike dorëzohen në duar që nuk i shërbejnë interesit kombëtar.

Aleanca për Shqiptarët


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu