Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë në Gjilan ku është takuar me kryetarin e kësaj komune për gjendjen me virusin COVID 19. Nga atje ai ka thënë se nuk do të merret me politikë dhe se po e lufton koronavirusin, ani pse këto ditë u kritikua se nuk u mor sa duhet me Malishevën, si një prej komunave më të prekura, shkruan Gazeta Metro.
Nga Gjilani, Kryeministri në detyrë Kurti tha se po mundohen që ta shtyejnë sa më shumë përhapjen e pakët e virusit COVId 19 në Kosovë.
“Nuk kemi kohë të humbim me çështjen e ping pongut politik, nuk mund të ketë temë tjetër kur s’mund të ketë prioritet tjetër. Jemi të angazhuar në luftimin e virusit dhe nëse e shpërqëndrojmë veten në cështje tjera do ta dobësojmë veten në frontin jetik të shëndetit publik”, ka thënë ai.
Mirëpo deri tash, Kryeministri nuk ka konfirmuar ndonjë ndihmë të re apo vizitë në Malishevë, që është komuna me më së shumti raste të konfirmuara me koronavirus, mbi 60.
Ai dje u kritikua nga opinioni publik se nuk është marrë sa duhet me këtë komunë, dhe nuk kanë marrë masat e nevojshme.
Kujtojmë se në Kosovë deri më sot janë shënuar 165 raste të prekura me virusin Covid-19, ku 24 prej tyre janë shëruar dhe tre kanë përfunduar me fatalitet.










