‘Asociacioni’, analistët: Nëse nuk e formon, Kurti rrëzohet nga Qeveria

Kryeministri kosovar, Albin Kurti e ripotencoi për të disatën herë. Asociacioni i Komunave Serbe, sipas tij, nuk mund të bëhet në Kosovë. “Kosova e ka asociacionin e komunave dhe mua si kryeministër mjaft po më del ky asociacion ekzistues”, tha Kurti në konferencën për medie, e mbajtur më 1 qershor.

Nga BE nuk i kanë kthyer përgjigje portalit lidhur me këtë deklaratë të shefit të ekzekutivit e as nuk kanë treguar se cili është qëndrimi i tyre aktual karshi kësaj çështjeje.

Ndërkaq, juristi Asdren Bytyqi thotë se Asociacioni, kështu siç është paraparë aktualisht, nuk mund të krijohet pasi bie ndesh me Kushtetutën.

“Shteti i Kosovës nuk mund të zbatojë marrëveshjen në kundërshtim me kushtetutën, mirëpo qeveria mund të rinegociojë dhe të hartojë statutin e ndryshuar të asociacionit, i cili statut do të ishte në harmoni me parimet dhe normat kushtetuese, sa i përket statusit juridik, kompetencave, ndarjes së pushteteve, natyrës së veprimtarive dhe aspekte të tjera juridike”, u shpreh Bytyqi për “Front Online”.

E analisti politik, Arbnor Sadiku shprehet i bindur se Kosova nuk do të mund t`i shmanget themelimit të AKS-së.

Sipas tij nëse Kurti nuk e formon atë, do të rrëzohet nga posti kryeministror.

Asociacioni i komunave serbe është i pashmangshëm sepse bazën e tij e ka në pakon e Ahtisarit, si dhe është pranuar nga krerët e institucioneve kosovare z.Thaçi dhe Mustafa në emër të Kosovës. Por, ajo çka mund të bëj qeveria aktuale lidhur me asociacionin në fjalë është rinegociojë atë përmes bashkësisë ndërkombëtare dhe nëse nuk e bën atë do të shkojë në opozitë z.Kurti dhe krijohet një qeveri tjetër e unitetit, me partitë opozitare, e mbështetur nga SHBA dhe BE”, vlerësoi Sadiku.

Në Marrëveshjen e parë të Brukselit, të vitit 2013, për parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjashtë pikat e para i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në atë marrëveshje është e shkruar që ky Asociacion do të themelohet në bazë të statutit dhe se shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse.

Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë të Brukselit, Kosova dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila harmonizoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyçe.

Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, qëllimet, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Çështja kryesore në lidhje me themelimin e Asociacionit është ajo e kompetencave të saj.

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se disa parime për Asociacionin nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës, të përmendur në nenin 3, për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore”, si dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.

Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte përcaktuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet ashtu siç e parasheh Marrëveshja e parë e Brukselit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu