Autoritetet në qytetin e Welsit në Austri ia kanë ndërprerë ndihmën sociale një personi, pasi gjatë kontrolleve kanë zbuluar se ai kishte në pronësi një shtëpi në Kosovë dhe merrte gjithashtu pension atje.
Rasti është bërë i ditur nga Komuna e Welsit, në një njoftim zyrtar të publikuar më 2 nëntor 2026, ku janë prezantuar rezultatet e kontrolleve ndaj përfituesve të ndihmës sociale.
Sipas autoriteteve, personi në fjalë nuk e kishte deklaruar pranë institucioneve pronën dhe të ardhurat nga pensioni që merrte në Kosovë.
Zbulimi u bë pasi punonjësit komunalë kishin shkuar disa herë për kontroll në banesën e tij, por nuk e kishin gjetur aty.
Pas verifikimeve, autoritetet konstatuan se ai kishte një shtëpi në Kosovë dhe përfitonte pension, ndërsa njëkohësisht merrte ndihmë sociale në Austri.
Si pasojë, komuna vendosi t’ia ndërpresë ndihmën sociale dhe ta denoncojë rastin tek autoritetet përkatëse.
Përveç kësaj, atij iu kërkua kthimi i afro 9 mijë eurove të përfituara nga ndihma sociale. Sipas njoftimit, kjo shumë tashmë është kthyer përmes pagesave me këste.
97 kontrolle në banesat e përfituesve
Komuna e Welsit bëri të ditur se deri në shtator të vitit 2026 kishte realizuar gjithsej 97 vizita kontrolluese në banesat e personave që përfitojnë ndihmë sociale.
Kontrollet janë realizuar në mënyrë të rastësishme, por edhe pas informacioneve të pranuara nga persona të tjerë.
Gjatë këtyre vizitave, zyrtarët verifikojnë kushtet e banimit, pasurinë e deklaruar, të ardhurat dhe qëndrimet e mundshme afatgjata jashtë Austrisë.
Komuna ka bërë të ditur edhe për një rast tjetër, ku një përfitues i ndihmës sociale nuk ishte gjetur disa herë në banesën e tij. Pas verifikimeve, ishte konstatuar se ai qëndronte për javë të tëra në Turqi. Edhe në këtë rast, ndihma sociale ishte rillogaritur dhe personi ishte denoncuar.
Kryetari i Welsit, Andreas Rabl, ka deklaruar se ndihma sociale duhet t’u shkojë personave që kanë vërtet nevojë për të, ndërsa institucionet do të vazhdojnë kontrollet ndaj rasteve të keqpërdorimit të mundshëm.
Komuna thekson se qëllimi i kontrolleve është që ndihma publike të përdoret në përputhje me kushtet ligjore dhe t’u garantohet personave që kanë të drejtë ta përfitojnë atë. /Telegrafi










