Avokati i Feros tregon detajet e rastit të goditjes së qytetarit: U provokua me këngë të Unikkatilit, është i penduar për atë që ka bërë

Reperi i njohur shqiptar, Fero, është vënë sot (e hënë) nën prangat e policisë, për shkak të një video-incizimi ku dëshmohej se ai goditi mbi një qytetar në veturën e tij.

Në videon e publikuar nga ‘Nacionale’, reperi gjilanas mund të shihet me sjellje agresive teksa gjuan me shqelma dhe godet brenda një veture një person, në mes të Gjilanit.

Ai tani është dërguar në mbajtje, teksa avokati i tij mbrojtës, Egzon Halimi, në një bisedë telefonike për Telegrafin ka treguar motivet e kësaj ngjarje.

“Fero ka qenë duke pirë kafe në lagjen e tij, ka parë disa të rinj poshtë te kafenetë dhe kishte vendosur t’i qeraste, kur në një moment ka kaluar një veturë, e cila e ka provokuar atë, gjë që ka çuar deri në sulmin e tij”, tha avokati Halimi.

Tutje, ai shtoi se provokimi ishte bërë duke i lëshuar të njëjtit një këngë të Unikkatilit (i njohur si Viktor Paloka me emrin e vërtetë), në të cilën ai shan publikisht Feron.

“Personi brenda veturës ka qenë duke lëshuar një këngë të Unikkatilit, në të cilën reperi Fero shahet dhe ofendohet rëndë dhe mu përmes së saj, ai e ka provokuar Feron, ku ky i fundit nuk e ka duruar presionin dhe ka nisur konfliktin në afekt. Personat që i ka sulmuar as ky nuk i njeh, pasi rasti ka ndodhur pa paramendim, pra nuk ka të bëjë me ndonjë hasmëri”, shtoi tutje avokati.

“Ai për momentin është në ndalim dhe tash pritet se çfarë vendimi do të marrë gjykata. Ndaj tij është ngritur akuzë për sulm, tani të shohim. Vet klienti është i penduar për veprën që ka bërë”, përfundoi Egzon Halimi për Telegrafin.

Përndryshe, reperi emri i vërtetë i të cilit është Feronit Shabani u arrestua sot (e hënë) në qytetin e tij të lindjes, me vendim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu