Sekretari organizativ i Lëvizjes BESA, Adnan Azizi përmes një postimi në rrjetet sociale i është përgjigjur aktivistit politik, Bekim Qoku lidhur me pohimet e tij se asnjë parti nuk ka ngritur kallëzime penale ndaj kreut të Strugës, Ramiz Merko.
“I dashur Bekim Qoku, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i ka bërë me dhjetëra padi në Komunen e Tetovës, por asnjëra s’është procesu, por përkundrazi i kanë shfajësu keqpërdoruesit. P.S. Mos harro se të gjithë prokurorët dhe gjykatësit janë nipër, fëmijë të pushtetarëve”, ka shkruar Azizi, i cili reagoi pas një statusi të Qokut që kishte shkruar:
“Partitë politike, përpara se të hedhin kritika e akuza virtuale ndaj Ramiz Merkos dhe BDI-së, të na thonë njëherë se sa padi penale kanë depozituar konkretisht pranë prokurorisë lokale apo republikane. Sa di unë, ASH ka bërë vetëm një përpjekje në 2017 të deponojë parregullësi me godinën e Universitetit të Merkos, që nuk u pranua nga prokuroria, por kaq. Asnjë tentativë tjetër, nga asnjë parti tjetër, kurrë. Vetëm llafe, vetëm postime nëpër rrjete sociale”, thuhej në postimin e Qokut që është edhe këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.










