Si dy nga figura të njohura për rezistencë dhe përpjekje për liri dhe Pavarësi, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, 40 vjet pas rënies heroike të tyre, përkujtohen edhe në festat e rëndësishme, si kjo e 17 Shkurtit, kur Kosova shpalli Pavarësinë.Rexhepi e Nuhiu vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.
Jetën dhe veprën e Rexhep Malës na e sjellë të freskët në këtë përvjetor të 16-të të Pavarësisë së Kosovës, vajza e tij Fitore Malaj.Ajo në një intervistë për Front Online, ka rrëfyer për fëmijërinë e saj, mungesën e babait dhe sakrificat e sfidat me të cilat ajo dhe familja e saj u përballen.
“Në atë kohë unë isha vetëm 8 vjeçe. Kujtimet nga ngjarja janë të freskëta dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time sepse pikërisht ajo ngjarje shënon kthesën e madhe në jetën time dhe të familjes, ngjarje e cila ndikoi në rritën time që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme. Edhe pse unë isha rritur me një ndjenjë krenarie për të bëmat e babait, mungesa e tij fizike gjithsesi ndjehej e ndjehet edhe sot”, ka thënë Malaj.Ajo thotë se pa të festat asnjëherë nuk janë të plota, teksa shton se ishte gjithmonë në kërkim të dashurisë atërore.
“Pa të gjithçka është ndryshe, gëzimet e festat asnjëherë nuk janë të plota, as arritjet e sukseset nuk e kanë shkëlqimin që do ta kishin. Si fëmijë i rritur pa baba, gjithmonë je në kërkim të dashurisë atërore tek personat që të rrethojnë e më pas dalëngadalë e kupton që ti duhet të pranosh mungesën e tij fizike dhe të lidhesh fort për kujtimet duke vendosur një komunikim jo real por që funksionon”, është shprehur Malaj.Vajza e Rexhep Malaj: Të jesh fëmijë i dëshmorit në rrethana të okupimit nuk ishte aspak e lehtë
Fitore Malaj thotë se ka qenë me fat, pasi thotë se është rritur nga një familje e madhe, e cila u kujdes që të mos i mungoj asgjë.“Unë kam pas fatin që të rritem me një familje të madhe, ku përveç dashurisë së nënës jam rritur edhe nën përkujdesen e gjyshërve, axhës dhe familjes së tij, të cilët janë kujdesur gjithmonë që të mos më mungojë asgjë”, ka rrëfyer Malaj.
E teksa flet për të kaluarën, ajo është deklaruar edhe për bastisjet nga forcat serbe, ku ka kujtuar momentet e rënda që ka përjetuar si fëmijë, pas rënies së babait të saj Rexhep Malaj.“Si familje e përndjekur edhe pas rënies së tij, shtëpia jonë u kontrollua me dhjetëra herë nga policia. Ata vinin herët në mëngjes dhe neve fëmijëve na prishnin gjumin. E mbaj mend se unë bashkë me fëmijët e axhës tim mbështeteshim tek njëri- tjetri për të marrë forcë dhe për të përballuar bastisjet e arrestimet e radhës. E rëndë ishte kur ata futnin duart edhe në çantat tona dhe preknin librat e fletoret, të cilat për ne ishin të shenjta. Mendoj se të jesh fëmijë i dëshmorit në rrethana të okupimit nuk ishte aspak e lehtë”, ka thënë tutje Malaj.
Vajza e Rexhep Males: Takimin e parë me babain e kam pasur përmes grilave, isha 7 vjeçeMes emocioneve, krenarisë e mallit, Fitore Malaj, vajza e dëshmorit Rexhep Malaj ka treguar për takimin e parë që kishte me babain e saj pasi në kohën kur ajo erdhi në jetë, ai ishte i burgosur.
“Në kohën kur kam lindur unë babai im ishte i burgosur, takimin e parë me të e kam pas përmes grilave në burgun e Idrizovës. Kujtimet i kemi të pakta, por të veçanta. Kujtoj rrugët e gjata për në burgjet e ish-Jugosllavisë për ta takuar, për ta shijuar prehrin e tij, për të ndjerë përkëdheljen e dorës së tij mbi kokën time, për të parë qëndrimin e tij dhe për të dëgjuar fjalën e tij që për një kohë të shkurtër më magjepste. Të gjitha këto më bënin fëmijë të veçantë të një babai të veçantë” është shprehur Malaj.Malaj ka deklaruar se ka qenë vetëm 7 vjet e gjysmë, kur babai i saj u lirua nga burgi.
“Pas 8 viteve burg të mbajtur ai del nga burgu dhe mua më gjen 7 vjet e gjysmë. Më kujtohet si sot dita kur u mblodhën shumë njerëz në shtëpi që ta prisnin, gëzimi im ishte i papërshkrueshëm. Gjatë tërë kohës sa qëndruam bashkë përpiqeshim që të krijonim marrëdhënie si babë e bijë. Ai përkundër angazhimit të tij patriotik në veprimtarinë ilegale, gjente kohë që të më qëndronte afër”, ka thënë Malaj, e cila ende i mban të freskëta kujtimet me të.E një moment shumë të vecantë nga fëmijëria e saj, e kujton edhe sot
“Mbaj mend qe në përfundim të klasës së parë ishte prezent në komunikimin e suksesit, ku pati rastin të më dëgjojë edhe mua duke recituar një vjershë. Ky moment ishte i veçantë për ne të dy. Po e tërë kjo zgjati nga rreth 6 muaj sepse ai u detyrua të largohet nga shtëpia dhe të kaloj në ilegalitet të plotë” , ka treguar vajza e dëshmorit Rexhep Malaj në një rrëfim.
Malaj ka folur edhe për periudhën e luftës në Kosovë. Ajo ka thënë se gjatë gjithë kohës ishin nën ethe, pasi që familja e saj ishin nën shënjestër nga regjimi serb.
“Gjatë periudhës së luftës, unë dhe familja ime ishim në Kosovë. Ashtu si të gjithë edhe ne e kemi përjetuar rëndë. Tërë kohën kemi qenë nën ethe se çfarë po ndodh, duke marrë parasysh që edhe familja jonë ishte nën shënjestër”, ka deklaruar Malaj.Ajo ka theksuar se gjatë kohës kur serbët filluan bastisjen, ka qenë e vetme me dy fëmijët e saj në shtëpi.
“Pak para përfundimit të luftës shtëpia u kontrollua nga njësitë policore ushtarake të Serbisë, në ato momente unë isha e vetme në shtëpi me dy fëmijët e mi dhe isha në muajin e nëntë të shtatzënisë. Ata hynë rrëmbyeshëm dhe demoluan gjithë shtëpinë duke thyer e shkatërruar çfarëdo që gjenin. Disa prej tyre rrinin roje në oborr me armët e tyre drejtuar shtëpisë. Ikën edhe kësaj here për të mos u kthyer më kurrë. Fati e deshi që Gjilani si rajon të mos përjetojë tmerrin që përjetuan vendet tjera të Kosovës”, ka potencuar Malaj.Vajza e dëshmorit Rexhep Malaj: 17 Shkurti shënon triumfin e popullit tonë
Vajza e Rexhep Males, Fitore Malaj në një rrëfim, ka folur për rëndësinë e datës 17 Shkurt kur u shpallë Pavarësia e Kosovës dhe mënyrën se si festohet kjo ditë në familjen e saj.“Dita e madhe e Pavarësisë ashtu si për të gjithë është ditë feste edhe për familjen tonë. Është reflektim nga e kaluara, suksese dhe arritje deri sot, zhvillim dhe prosperitet drejt një të ardhme më të mirë. 17 Shkurti shënon triumfin e popullit tonë ndaj shtypjes, persekutimit dhe gjenocidit shekullor të një sundimi të egër të regjimit serbo –jugosllav”
“Shpallja e Pavarësisë në familjen tonë u prit me emocione të përziera, gëzim, dhimbje për më të dashurit tanë që nuk e arritën këtë ditë, por gjithsesi krenari që mundi dhe sakrifica po shpërblehet dhe po realizohet ëndrra e kamotshme e paraardhësve tanë dhe gjithë shqiptarëve kudo që ishin”, ka thënë Malaj.Gjithashtu, Malaj ka thënë se edhe përvjetorët e rënies heroike të Rexhep Males, janë bërë traditë e familjes, teksa thotë se për çdo vit, në nderim të jetës së babait të saj, në shtëpinë e tyre mblidhen familjarë, miq e krerë institucional.
“Përvjetorët tona tashmë janë shndërruar në një traditë të familjes ku organizohet pritje për të gjithë miqtë, shokët e familjarët por gjithsesi nuk mungojnë as përfaqësuesit e institucioneve shtetërore e lokale si dhe përfaqësues tjerë të partive politike. Emocion i veçantë është kur në ditën e rënies së tij, sheh aq shumë njerëz bashkë të cilët pa asnjë dallim bashkohen në nderim të sakrificës për liri”.Porosia e vajzës së dëshmorit Rexhep Malaj: Interesat e Kosovës të vihen para atyre personale
Fitore Malaj, vajza e dëshmorit, Rexhep Malaj ka vlerësuar se interesat e përgjithshëm për ta zhvilluar Kosovën duhet të vihen para atyre personale.“Tash nga ne kërkohet punë, ndershmëri e profesionalizëm për të zhvilluar Kosovën tonë. Të arriturat janë të dukshme por gjithsesi duhet të punohet shumë me shumë që të forcohemi edhe më tej, e sidomos tek tri shtyllat kryesore të shtetit e të cilat janë arsimi, shëndetësia dhe drejtësia”, ka thënë Malaj.
Malaj shprehet e lumtur për të arriturat në sport dhe kulturë, teksa thotë se më e rëndësishmja është se “Kosovën nuk e sundon më këmba e huaj”.“Kosova u bë Republika më e re në rruzullin tokësor. Kosova jonë çdo ditë e më shumë po nderohet nga personalitetet të shumta nga bota e artit, sportit, kulturës etj, të cilët me krenari po lartësojnë flamurin e Kosovës dhe janë bërë ambasadorët më të mirë të shtetit tonë. E rëndësishme është që më Kosovën nuk e sundon këmba e huaj”.
“Duke marrë parasysh krejt çka kemi kaluar, rrethanat të cilat jemi zhvilluar, nuk ka qenë e lehtë të arrihet ajo që ne dëshirojmë, por gjithsesi që ka vend që t’i gëzohemi të arriturave të gjertanishme dhe të mundohemi në vazhdimësi të bëjmë pjesën tonë aty ku jemi, gjithmonë duke vënë interesat e përgjithshme mbi ato personale”, ka shtuar tutje Malaj.Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë./Front Online