Ballkani pa kufij, Rama: Pas heqjes së barrierave, zerojmë tarifat me Maqedoninë dhe Serbinë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë konferencës së përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev se qëllimi i Ballkanit të Hapur është që të mos ketë kufij për askënd. Rama deklaroi se pas heqjes së barrierave jo tarifore do të synohet edhe heqja e tarifave mes tre vendeve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Ballkani i Hapur është një njësi zbatimi i procesit të Berlinit. Kjo është arsyeja pse i jemi bashkuar kësaj nisme dhe pse e kemi shpallur nismë gjithëpërfshirëse dhe në të gjitha rastet ne nuk mungojmë të ftojmë palët e tjera të rajonit të na bashkohen për të mirën e secilës palë dhe të mirën e qytetarëve të secilit të 6 pjesëmarrësve në përpjekje për ta çuar para ekonominë e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Europian e mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur dhe fton vendet e tjera të bashkohen. Komisioneri nënvizoi me keqardhje dështimin e tregut të përbashkët si një proces i ndërtuar bazuar te konsensusi. E kemi ndërmarrë këtë nismë për të krijuar mundësinë që pjesëmarrësit të zgjedhin vetë shpejtësinë me të cilën duan të ecin. Kjo ecje sa më shpejt të jetë e mundur mund të realizohet vetëm nëse e marrim vetë në dorë fatin tonë këtu në rajonin tonë. Tani nisma po merr formë kuptimplotë me impakt në jetën dhe punën e qytetarëve.

Mbështetja për nismën nga SHBA, komisioni apo një sërë vendesh e BE vjen dhe do të vazhdojë të rritet. Nisma është shumë e qartë. Ta bëjmë rajonin tonë një hapësirë ku funksionojë për qytetarët tanë liritë e BE. Kemi vendosur të ritakohemi në fund të muajit shkurt në Maqedoninë e Veriut. Pas heqjes së barrierave jo tarifore të adresojmë heqjen e barrierave tarifore. Qëllimi ynë është që Ballkani të mos ketë kufij për askënd që do të lëvizë i lirë”, u shpreh Rama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu