Më shumë se gjysma e Evropës dhe rajonit të Mesdheut u prek nga thatësira në dhjetëditëshin e parë të gushtit 2025, duke shënuar përqindjen më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë që nga viti 2012.
Sipas një analize të publikuar nga AFP, mbi të dhënat e Observatorit Evropian të Thatësirës (EDO), 51.3% e kontinentit është përfshirë nga thatësira, me pjesë të mëdha të rajoneve në gjendje alarmi.
Të dhënat tregojnë se situata ka nisur të përkeqësohet që nga mesi i prillit, duke e tejkaluar edhe verën ekstreme të vitit 2022.
Thatësira po ndikon në mënyrë të konsiderueshme te bimësia dhe furnizimi me ujë, ndërsa rajonet më të prekura janë Kaukazi dhe Ballkani Verior.
Në Gjeorgji dhe Armeni, 97% e territorit është përfshirë, ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë vënë në nivel alarmi ose gatishmërie në mbi 75% të sipërfaqes së tyre.
Sipas sistemit të monitorimit të EDO-s, që përdor të dhëna satelitore të Kopernikus për reshjet, lagështinë e tokës dhe shëndetin e bimësisë, 7.8% e zonës është në nivel “alarmi”, 38.7% në “paralajmërim” dhe 4.9% në “vëzhgim”.
Thatësira është shoqëruar edhe me valë të fuqishme të të nxehtit, të cilat kanë shkaktuar zjarre të shumta në Ballkan, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku raportohen edhe viktima.
Ndërkohë, Evropa Qendrore ka shënuar përmirësime, me Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë dhe Republikën Çeke që kanë rifituar lagështinë normale në tokë.
Sipas vlerësimeve të mbledhura nga EFFIS, mbi një milion hektarë janë djegur deri tani në territorin e Bashkimit Evropian në vitin 2025, një tjetër rekord shqetësues për kontinentin.