Basha nga Shëngjini: Situata e vështirë, as 10% e hoteleve nuk janë rezervuar

Kryedemokrati Lulzim Basha është ndalur ditën e sotme në Shëngjin, ku është takuar operatorë turistikë dhe sipërmarrës që sipas tij, po përjetojnë situatën më të vështirë ndonjëherë.

Basha deklaroi se as 10% e strukturave hoteliere nuk kanë rezervime, ndërsa pjesa më e madhe e bareve dhe restoranteve po punojnë me 30-40% të kapaciteteve.

Lideri i opozitës tha se e gjithë kjo situatë do të thotë se më shumë se gjysma e punonjësve, që në kohë normale do të ishin duke punuar dhe siguruar të ardhura për familjet e tyre, sot janë të papunë.

Dështimi i Ramavirusit për marrjen e masave për të kryer testimet e nevojshme në mënyrë që të identifikoheshin dhe izoloheshin vatrat e të infektuarve me Covid-19, ka sjellë këtë situatë në vend, ku për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, numrit të ulët të testimeve dhe situatës së rëndë ekonomike, BE refuzoi hapjen e kufijve me Shqipërinë. Kjo do të thotë më pak turistë, më pak të ardhura, më pak të punësuar”, u shpreh Basha.

Më tej shtoi se Edi Rama refuzoi ta dëgjojë thirrjen tonë për strategjinë e hapjes sepse në vend që paratë të shkonin për ekonominë dhe për të blerë kite testuese, i pagoi ato për tendera dhe koncesione korruptive.

Sipas tij, 1 milion euro janë dhënë me një firmë për inceneratorët, ndërkohë që këto para mund të përdoreshin për t’i dhënë një shtysë sektorit jetik të turizmit dhe strukturat hoteliere, baret dhe restorantet përveç mungesës së turistëve po përballen dhe me taksa e tarifa të rritura, me dyfishimin e faturave të energjisë, ujit dhe me tatimorët, që në këtë kohë krize janë vërshuar si bandë mbi biznesin.

Basha nënvizon se se strategjia e vetme e Ramavirusit është: “Merr nga biznesi i ndershëm dhe qytetarëve dhe jepja një grushti oligarkësh”.

Ndër të tjera vuri në dukje se ne kemi një vend të mrekullueshëm dhe se në Lezhë si në pak vende të tjera, ndërthuret trashëgimia historike e kulturore me natyrën e mrekullueshme, duke e bërë një destinacion të preferuar për turistët.

“Problematikat janë të shumta, por kur ka vullnet dhe dëshirë, ka gjithmonë zgjidhje. Ne do të vendosim prioritetet e duhura. Duke nisur me uljen e taksave dhe tarifave, orientimin e investimeve drejt sektorëve të rëndësishëm, duke hequr taksën “Rama” mbi karburantin dhe ndihmuar me subvencione sektorët e rëndësishëm që janë dhe furnizuesit e sektorit te turizmit, siç është bujqësia, peshkimi etj”, deklaroi Lulzim Basha.

Ai tha se asgjë nuk është e lehtë dhe nuk mund të zgjidhet si me magji, por se pak nga pak, çdo ditë do dilet që të kthehet normaliteti në ekonomi dhe në turizëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu