Ndikimi i “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut, po merr dimension të ri me qeverinë aktuale, ku përveç “Telekomit Serb”, tani përmes “Alta Bank” që ka lidhje të ngushta me Milan Radojçiç, po tentohet të depërtojnë edhe në sektorin bankar.
Lidhur me këtë rast, sot ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, ku sipas tyre qeveria aktuale, me VLEN-in si vegël politike, po lejon depërtimin e këtij kolonizimi ekonomik që është kundër interesa kombëtare dhe shtetërore.
Komunikata e plotë e Bashkimit Demokratik për Integrim:
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për përshpejtimin e implementimit të agjendës së “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që tashmë nuk kufizohet vetëm në retorikë politike, por po merr formë konkrete përmes penetrimit ekonomik dhe politik, me përfshirje aktive të VLEN-it si vegël në realizimin e këtij koncepti antiperëndimor.
Faktet janë të qarta dhe të pandryshuara: prioriteti i dhënë Korridorit 10 në vend të Korridorit 8 që lidh vendin me Shqipërinë dhe Bullgarinë, vizitat e figurave si Millorad Dodik me retorikë proruse e anti-NATO, përfshirja e figurave të larta kishtare në aktivitete shtetërore me Stoillkoviçin, si dhe donacionet e subjekteve me prejardhje serbe në vend, të gjitha këto janë pjesë të një strategjie të koordinuar për ta zhvendosur Maqedoninë e Veriut nga orientimi euroatlantik drejt një boshti lindor të huaj për vlerat tona.
Zhvillimi i sotëm e vërteton këtë kurs: pas hyrjes së Telekomit Serb, tani kapitali serb po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar me “Alta Bank”, që pritet të marrë kontrollin e Stopanska Banka AD Bitola. Pronari i saj, Davor Macura, ka lidhje të ngushta me Milan Radojçiç, organizatorin e aktit terrorist të Banjskës në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për investim neutral, por për një mjet politik e financiar të “Botës Serbe” për të rritur ndikimin e Beogradit në rajon dhe për të dobësuar strukturat perëndimore të sigurisë dhe ekonomisë në vendin tonë.
Qeveria aktuale, me VLEN-in si vegël politike, po e lejon këtë kolonizim ekonomik e politik, duke tradhtuar interesat shtetërore e kombëtare të shqiptarëve dhe duke minuar integrimin evropian të vendit. Në vend që të mbrojë lidhjet strategjike me BE-në dhe NATO-n, kjo qeveri po forcon lidhjet me Beogradin, duke u bërë pjesë e një projekti që rrezikon paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.
BDI e kundërshton me vendosmëri këtë kurs dhe riafirmon se “Bota Serbe” nuk ka vend në Maqedoninë e Veriut. Vendi ynë duhet të mbetet i palëkundur në rrugën e integrimit në BE dhe NATO, në demokraci, barazi dhe bashkëjetesë ndëretnike. Çdo devijim nga ky kurs është tradhti ndaj qytetarëve dhe së ardhmes së tyre.