Përveç “të enjtes së përgjakshme”, ka edhe një tjetër element përcaktues për qeverinë e re, e cila me ose pa mandat veçmë po shihet në horizont. Ai element është BDI-ja, e cila do të jetë anëtari i ri-i vjetër i qeverisë dhe me këtë, në formë transitore, vendimtare për qeverinë e re dhe suksesin e saj.
Kjo për shkak të faktit se kjo qeveri vjen pas regjimit, kurse BDI ka marrë pjesë në atë regjim. Kështu, në njëfarë mënyre element përcaktues për qeverinë e re do të varet nëse BDI do të jetë ndryshe nga që ishte si pjesë e regjimit.
Për shkak të mundësive të ngushtuara për manovrim të BDI-së, e cila tani ka saktë numër të përgjysmuar të votave dhe hapësirës, e cila më nuk është rrafshinë e gjerë vetëm me PDSH-në e dikurshme në të, asaj i mbetet hapësirë e ngushtë për veprim, që përbëhet vetëm nga dy opsione: BDI e vjetër me tesha të reja, ose BDI e re me tesha të vjetra. (Pjesë nga kolumna e Ramadan Ramadanit në revistën Fokus)