BDI miraton katër rezoluta në Kongresin e sotëm partiak

Screenshot

Në Kongresin e pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili po mbahet sot në Shkup, delegatët miratuan katër rezoluta strategjike që përcaktojnë orientimin politik dhe prioritetet programore të partisë për periudhën e ardhshme.

Rezoluta e parë i kushtohet përforcimit të karakterit unitar të shtetit dhe konsolidimit të barazisë funksionale, duke vënë theksin në përfaqësimin e drejtë të komuniteteve, legjitimitetin e dyfishtë dhe funksionimin e barabartë të institucioneve shtetërore.

Rezoluta e dytë trajton shtetin e së drejtës, drejtësinë e pavarur dhe rikthimin e besimit në institucione, me fokus të veçantë në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sistemit gjyqësor dhe garantimin e drejtësisë së paanshme për të gjithë qytetarët.

Rezoluta e tretë parasheh Marrëveshjen Kombëtare për Përparim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, si një platformë gjithëpërfshirëse për zhvillim ekonomik, social dhe institucional, me theks në rritjen ekonomike, inovacionin, zhvillimin rajonal dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

Rezoluta e katërt riafirmon integrimin evropian si orientim strategjik dhe të pakthyeshëm të Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar përkushtimin ndaj reformave evropiane, sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike.

Sipas përfaqësuesve të BDI-së, këto katër rezoluta përbëjnë bazën e vizionit politik të partisë dhe synojnë ndërtimin e një shteti stabil, funksional dhe të integruar plotësisht në strukturat euroatlantike./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu