Koalicioni VLEN ka reaguar sot me komunikatë pas zhvillimeve të fundit lidhur me ish-zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, i cili sot iu dorëzua autoriteteve në vend. VLEN e cilëson Grubin si “kutinë e zezë të qeverisjes së BDI-së”.
“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vehte, mbetet për t’u parë”, thekson VLEN.
Deri më tani, nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka pasur reagim zyrtar lidhur me këto akuza të VLEN-it.










