Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka hequr dorë nga kushti i deritanishëm që deklarata e përbashkët e partive shqiptare të jetë krejtësisht pjesë e programit të ri qeveritar. Ai mbrëmë pas takimit me drejtues të lartë të partisë, konfirmoi se kanë dhënë pëlqim për programin e ri qeveritare ku konfirmoi se do të jenë vetëm disa pjesë të deklaratës shqiptare, ndërsa shumë të tjera do të ngelin për tu debatuar në të ardhmen. Si pika më të rëndësishme Ahmeti nënvizoi, integrimet, zhvillimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë.
“Ka çështje shumë të rëndësishme, siç është anëtarësimi i vendit në NATO, në BE, zhvillimi ekonomik, zhvillimi i barabartë i rajoneve, do të thotë asgjë të keqe nuk ka dhe kryesisht pikat kryesore të aqsaj deklarate janë të përfshira në programin qeveritarë. Por ka çështje në atë deklaratë politike të cilat do të shtrohen për diskutim publik dhe nuk është fshehtësi”, thotë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Kryetari i Lëvizjes për Reforma PDSH, Ziadin Sela, në konferencën e parë të mbajtur pas ngjarjeve të 27 prillit ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk heqin dorë nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare dhe se do të insistojë që ajo të jetë pjesë e programit qeveritar nëse Aleanca bëhet partnere e koalicionit.
“Njëqind herë e kam thënë se unë nga deklarata e shqiptarëve nuk heq kurrë dorë sepse është sikur të heq dorë nga ardhmëria e fëmijës tim, patjetër që do të insistoj”, thotë Ziadin Sela nga Aleanca për shqiptarët.
Nga Lëvizja Besa po ashtu disa herë që nga fillimi i bisedimeve për formimin e Qeverisë kanë përsëritur se nuk do të heqin dorë nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare. Deputeti i kësaj partie, Zeqirja Ibrahimi, tha se për Lëvizjen Besa prioritet janë çështjet e shqiptarëve dhe jo postet qeveritare.
“Në zyra të Besës vjen mandatari dhe na lut që të futemi në Qeveri. Ofron posta të ministrave dhe zëvendësve që të futemi në Qeveri. Është hera e parë që ekziston një parti shqiptare e cila thotë nuk është çështja jonë sa ministra dhe funksionarë të tjerë i fitojmë. Çështja jonë është a do të zgjidhet çështja shqiptare si dhe me çfarë mënyre të bashkëqeverisjes do të funksionojmë”, thotë Zeqirja Ibrahimi nga Lëvizja BESA.
Ndryshe, BDI është partia e vetme e cila ka marrë vendim që të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar, ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, kanë njoftuar se kryesia e ngushtë e partisë vazhdon negociatat me LSDM-në e Zoran Zaevit.