“BE-ja e gatshme të angazhohet për përmirësimin e bashkëpunimit me Turqinë”

Bashkimi Evropian (BE) është i gatshëm të angazhohet me Turqinë në një “mënyrë fazore, proporcionale dhe të kthyeshme” për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, tha Këshilli Evropian në një konkluzion të miratuar nga liderët e BE-së pas një takimi.

Udhëheqësit evropianë u takuan virtualisht për të diskutuar çështjet e politikës së jashtme, duke përfshirë Turqinë dhe Mesdheun Lindor. Sesioni u drejtua nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Udhëheqësit e BE-së i kërkuan Këshillit të punojë mbi një mandat për modernizimin e Bashkimit Doganor 25-vjeçar BE-Turqi dhe theksuan se BE-ja është e gatshme “të marrë vendime të mëtejshme në takimin e Këshillit Evropian në qershor”.

Gjatë takimit janë mirëpritur deeskalimi i tensioneve në Mesdheun Lindor, rifillimi i bisedimeve midis Turqisë dhe Greqisë dhe bisedimet e ardhshme mbi Qipron nën kujdesin e OKB-së.

Me kusht që deeskalimi aktual të jetë i qëndrueshëm dhe që Turqia të angazhohet në mënyrë konstruktive, dhe duke iu nënshtruar kushteve të vendosura në konkluzionet e mëparshme të Këshillit Evropian, në mënyrë që të forcohet më tej dinamika e fundit më pozitive, Bashkimi Evropian është i gatshëm të angazhohet me Turqinë në një mënyrë fazore, proporcionale dhe të kthyeshme për të rritur bashkëpunimin në një numër fushash me interes të përbashkët dhe për të marrë vendime të mëtejshme në takimin e Këshillit Evropian në qershor“, thuhet në konkluzionin e Këshillit.

Liderët thanë se BE-ja është e gatshme të nisë “dialog të nivelit të lartë me Turqinë mbi çështjet me interes të ndërsjellë“, të tilla si kundërterrorizmi, shëndeti publik dhe klima. Përfaqësuesit gjithashtu i kërkuan Komisionit të kërkojë mënyra për të përmirësuar kontaktin dhe lëvizshmërinë ndërnjerëzore me Turqinë.

Ndihma për refugjatët sirianë do të vazhdojë

BE-ja përshëndeti Turqinë për pritjen e gati katër milionë refugjatëve sirianë, duke thënë se ndihma e BE-së për komunitetet pritëse do të vazhdojë.

Ne e ftojmë Komisionin të paraqesë një propozim në Këshill për vazhdimin e financimit të refugjatëve sirianë në Turqi, si dhe në Jordan, Liban dhe pjesë të tjera të rajonit“, thuhet në dokumentin e BE-së.

Çështja e Qipros dhe Mesdheut Lindor

Sipas dokumentit, blloku prej 27 anëtarësh është i përkushtuar për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe BE-së dhe pret me padurim rinisjen e bisedimeve nën kujdesin e OKB-së, në të cilat blloku do të marrë pjesë si vëzhgues. Udhëheqësit i kërkuan Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell të punojë për një konferencë shumëpalëshe për Mesdheun Lindor.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe të kërkojmë një qasje të koordinuar me partnerët. Këshilli Evropian do t’i kthehet kësaj çështjeje në takimin e tij në qershor“, theksohet në konkluzion.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu