BE-ja pezullon tarifat hakmarrëse pas marrëveshjes tregtare me Trumpin

Bashkimi Evropian njoftoi më 5 gusht për pezullimin e tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 93 miliardë eurosh, pasi Brukseli arriti një marrëveshje me Uashingtonin muajin e kaluar.

“Komisioni Evropian ka miratuar sot procedurat e nevojshme ligjore për të pezulluar zbatimin e kundërmasave tona, të cilat pritej të hynin në fuqi më 7 gusht”, tha zëdhënësi për tregti i BE-së, Olof Gill.

Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për politikat tregtare të bllokut prej 27 shtetesh, kishte përgatitur një listë me mallra amerikane që do të goditeshin me tarifa nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk do të rezultonin me marrëveshje.

Kundërmasat e BE-së kishin në shënjestër një sërë eksportesh amerikane, nga soja deri tek aeroplanët, makinat e uiski.

Por, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje kornizë me presidentin amerikan, Donald Trump, më 27 korrik, teksa afati i 1 gushtit për vendosjen e tarifave të larta po afrohej.

Pas arritjes së marrëveshjes, eksportet e BE-së pritet të përballen me tarifa gjithëpërfshirëse prej 15 për qind që nga data 8 gusht – më të larta se taksat doganore para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por më të ulëta se tarifat prej 30 për qind, që presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të vendoste.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu