Komisioni Evropian po përgatitet të vendosë taksa të reja mbi cigaret, me qëllim jo vetëm reduktimin e konsumit të duhanit, por edhe financimin e Fondit të ri Evropian të Mbrojtjes dhe programit “ReArm Europe”.
Mediat ndërkombëtare duke cituar burime nga Brukseli bëjnë me dije se synimi është të mblidhen rreth 14 miliardë euro, duke përdorur të ardhurat nga rritja e çmimeve të produkteve të duhanit në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Propozimi mbështetet nga të paktën 15 vende, mes tyre Franca dhe Holanda, që kërkojnë një unifikim të taksave dhe rritjen e tyre në nivele të ngjashme me ato të Evropës Veriore.
Kjo lëvizje shihet si një goditje e dyfishtë: përshkallëzimi i luftës ndaj konsumit të duhanit dhe rritja e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës përballë sfidave të sigurisë.
Detaje të mëtejshme mbi planin dhe ndikimet e mundshme pritet të bëhen publike në muajt në vijim.
Kjo nismë e Komisionit Evropian është pjesë e përpjekjeve për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të BE-së në një periudhë të tensionuar ndërkombëtare, por ajo ka nxitur debate të ashpra mbi drejtësinë fiskale dhe ndikimin ekonomik në vendet anëtare më të prekura.
“Duhani”, 14 miliardë nga shtetet anëtare
Beteja vendimtare për fondet që do të mbështesin programin mbrojtës “ReArm Europe” do të zhvillohet më 16 korrik, kur Kolegji i Komisionerëve të BE-së do të shqyrtojë Kornizën Financiare Shumëvjeçare.
Në qendër të diskutimeve do të jetë sigurimi i burimeve të përhershme të të ardhurave për buxhetin evropian, përmes akcizave mbi duhanin dhe produktet ndotëse.
Përveç aspektit fiskal, Komisioni e konsideron këtë edhe si një masë shëndetësore për të ulur konsumin e duhanit, ndërsa përfitimet do të kanalizohen në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së unionit në një kontekst sigurie gjithnjë e më të brishtë.
Sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit, zbuluar nga media greke neëmoney.gr, plani parashikon mbledhjen e 14 miliardë eurove, kryesisht nga taksa të reja ndaj konsumatorëve të duhanit. Rritjet e propozuara janë të ndjeshme: Cigare: deri në +94% Duhan i mbështjellë: +24% Puro/: deri në +300% në disa vende
Ky zhvillim do të thotë se të ardhurat që aktualisht i takojnë buxheteve kombëtare nga taksat e duhanit, do të kalojnë në arkën e BE-së, për të mbështetur nismën e mbrojtjes evropiane.
Megjithatë, plani ka nxitur diskutime, pasi shumë shtete anëtare rrezikojnë humbje në të ardhura fiskale dhe konsumatorët do të përballen me çmime shumë më të larta.
Sipas analizave, vendet jugore rrezikojnë rritje të inflacionit, rritje të kontrabandës së duhanit, humbje të investimeve, vendeve të punës dhe të ardhurave në sektorin vendas të duhanit
Edhe nëse arrihet objektivi prej 14 miliardë euro të ardhura nga taksat e reja, kritikat theksojnë se këto para do të derdhen në arkën e përbashkët të BE-së, për t’u përdorur kryesisht nga vendet prodhuese të armëve si Gjermania dhe Franca.
Ironikisht, vendet që do të preken më shumë nga taksat, si Greqia, do të jenë edhe blerësit përfundimtarë të këtyre armëve.
Kritikët e masës theksojnë se, edhe nëse të ardhurat e parashikuara prej 14 miliardë eurosh realizohen, ato do të përfundojnë në buxhetin e përbashkët të BE-së dhe më pas do të përdoren për të financuar blerjen e pajisjeve ushtarake nga vende si Gjermania dhe Franca.