Lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme janë thellësisht alarmante dhe Evropa u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale, të ulin menjëherë tensionin dhe të përmbahen nga hakmarrja, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
”Një zgjidhje diplomatike është tani më urgjente se kurrë, për hir të stabilitetit rajonal dhe sigurisë globale”, shtoi von der Leyen, shkruan ANSA.
”Situata në Lindjen e Mesme është e rrezikshme. U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Diplomacia mbetet rruga më e mirë përpara dhe jam e gatshme të mbështes çdo përpjekje diplomatike që synon uljen e tensionit”, shkroi në X nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.
Izraeli tha se ka kryer sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin, duke i vrarë një gjeneral të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë ushtarakë, dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme.
Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.
Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.