BE mesazh Qeverisë Kurti: Presim themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe

Mundësitë e rihapjes së kësaj teme, po i sheh të rrezikshme Partia Demokratike e Kosovës. Derisa nga shoqëria civile i japin mbështetje ekzekutivit për themelimin e asociacionit, por vetëm mbi bazën e Kushtetutës së vendit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano thotë për KosovaPress, se marrëveshja e vitit 2013, për asociacionin është përfunduar me mirëbesim dhe se i mbetet Kosovës të propozojë një rrugë përpara për zbatimin e saj.

Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Kosovës i mbetet të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar marrëveshjen”, thotë ai përmes një përgjigje me shkrim.

Por zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress se qëndrimi i ekzekutivit në këtë temë është i qartë dhe se nuk do të ketë diçka që do ta defunksionalizojë vendit.

Ju e dini, qeveria ka një qëndrim të qartë sa i përket kësaj teme. Iu përkujtoj edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket kësaj teme. Kryeministri Kurti ka thënë se liria e asocimit është liri që garantohet me Kushtetutë, për këtë ka edhe Kushtetutë edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të jetë në shërbim të funksionimit të vendit dhe jo në de funksionalizim të vendit. Prandaj kemi thënë që asociacion një-etnik të komunave nuk mund të ketë”, deklaron Kryeziu.

Mundësitë e rihapjes së kësaj teme në kuadër të dialogut po i sheh të rrezikshme deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Kthimi i temës së asociacionit në tavolinë, konsideroj se një gjë e tillë është e rrezikshme. PDK ka qenë kundër asociacionit në kohën kur ish kryeministri Mustafa e ka nënshkruar. Krahas kësaj e kemi edhe një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese dhe konsideroj se çdo tentativë për rikthim të diskutimit të asociacionit është një kthim i lehtë i Serbisë në kuadër të sovranitetit të Kosovës dhe rrezikohet Kushtetuta dhe shteti i Kosovës”, thotë ai.

Ndërkohë, drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha thotë se nuk ka asgjë të keqe të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe që është në përputhje me të drejtat që ia ka dhënë edhe Pako e Ahtisarit.

Themelimi i Asociacionit tashmë është obligim ndërkombëtar i Kosovës që patjetër duhet të zbatohet. Nuk ka asgjë të keqe që të ngritët një asociacion që është në përputhje me të drejtat që ia ka dhënë edhe Pako e Ahtisarit. Ajo në nenin katër nëse nuk gaboj i ka dhënë të drejta të mëdha asociacionit në fusha që kanë të bëjnë në drejtat e serbeve në Kosovë. Fusha që prekin identitetin e tyre në Kosovë, psh arsimin, shkencën, kulturën.

Në gjëra të tilla nuk ka problem që asociacioni të merr kompetenca të duhura për promovimin e interesave serbe në Kosovë. Çështja është se ky asociacion duhet të ngritur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe përputhje me kartën evropiane për vetëqeverisje lokale. Në vazhdimësi duhet të superdiniohet pushtetit qendror të Kosovës. Respektivisht qeverisë së Kosovës, ose Ministrisë së Pushtetit Lokal. Përderisa respektohet këto parime nuk ka problem që ngritët asociacioni i komunave. Por unë besoj se tani jemi në një pikë rrethore ku formimi i tij do të jetë pjesë e pakos të marrëveshjes përfundimtare të Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Për shkak të hapjes së temës së themelimit të asociacionit, dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar qysh nga viti i kaluar. Derisa ende nuk dihet nëse kjo temë do të jetë në agjendë në takimin e qershorit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu