Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar pas deklaratës së kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila ka thënë se çfarëdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë duhet të kalojë nëpërmjet Kuvendit.
Pacolli ka thënë se deklarata e Osmanit tingëllon sikur ajo nuk e do arritjen e marrëveshjes.
“Këtë herë po i drejtohem Kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, kryetare, sa herë që jeni deklaruar (shpesh ka ndodhur) në një veprim të Kryeministrit Hoti (i cili në të vërtetë konsiderohej si një hap drejt një marrëveshje me Serbinë), ju keni thënë: Marrëveshja duhet të kalojë në Kuvend.
Kjo duket sikur se ju nuk e doni këtë marrëveshje. Ju po betoheni qe kjo marrëveshje nuk do të kalojë në Kuvend. Kryetare, mendoni pozitivisht. Leni anash inatet politike, Kosova nuk mundet më kështu!
Kosovës i nevojitet marrëveshja.”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook.
“Pozicioni juaj (në përgjithësi) është i ndryshëm nga ai i popullatës së Kosovës e cila sot vuan nga varfëria, papunësia, privimi i lëvizjes së lirë, getoizimi i vendit, etj që varen ekskluzivisht nga paqësimi në rajon”, thotë Pacolli.










