Prej disa ditësh në territoret e vendit nga veriu në jug ka mbizotërruar një mot i ftohtë shoqëruar me reshje shiu e dëbore në zonat malore.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit parashikon motin për ditën e nesërme dhe pasnesër dhe nuk janë aspak lajme të mira.
Përgjatë datave 30.11.2017 dhe 01 – 02.12.2017 priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa. Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë.
Nga llogaritjet PARAPRAKE këto reshje priten të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në qytetet kryesore (Tiranë, Lezhë, Durrës, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër).
Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Ka mundësi të lartë për përmbytje në basenet e lumenjve Vjosa dhe Seman.
Gjithashtu edhe lumi Shkumbin mund të shfaqë përmbytje përgjatë fundit të ditës së Premte (dt. 01 Dhjetor 2017).
“Ky informacion është PARAPRAK nga IGJEUM, për arsye se llogaritjet po vazhdojnë dhe afati i këtij buletini është vetëm për 36 orët në vijim”- njofton IGJEUM.
Nga këto llogaritje rezulton se, nëse parashikimi i reshjeve del i saktë, në pjesët fushore të këtyre lumenjve ka mundësi përmbytje me pasoja të rënda (mijëra Ha tokë e përmbytur dhe mijëra njerëz të prekur) nga përmbytjet.
Sipas parashikimit, efektet e rëndësishme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier do të ndodhin në pjesën e parë të ditës së Shtunë (dt. 02 Dhjetor 2017).
Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet (Gjirokastër, Berat, Elbasan) përmbytjet mund të ndodhin përgjatë ditës së Premte (dt. 01 Dhjetor 2017). /albeu.com/












