Ambasadori amerikan Xhes Bejli edhe njëherë kërkoi që presidenti Gjorgje Ivanov të reflektojë dhe të rishqyrtojë vendimin për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re, kreut të LSDM, Zoran Zaev.
“Sa i përket vendimit të Presidentit Ivanov, mendojmë që nuk ishte vendimi i duhur. Ne shpresojmë që do ta rishqyrtojë atë vendim. Mendoj që është e rëndësishme që të funksionojnë institucionet demokratike dhe mendoj se pikërisht aty qëndron zgjidhja”, tha Bejli.
Ambasadori Bejli theksoi se bazat e marrëveshjes së Përzhinës, që ishte arritur në korrik të vitit 2015, ende vazhdojnë të qëndrojnë si bazë për të zgjidhur krizën e politikës.
“Nuk e di nëse ka një, dy apo tre marrëveshje, por ka një sistem që u vendos në muajin maj, e më pas në korrik të vitit 2015, që duhej t’i jepte fund krizës politike, duke u kthyer në Parlament, duke përmbushur kushtet për zgjedhje të lira dhe të drejta, duke zgjidhur çështjen e ndjekjes së komunikimeve joligjore, në mënyrë për të zbardhur se si kishte ndodhur, por edhe çfarë nxorën në pah si dhe të vazhdohet me zbatimin e reformave urgjente”, shtoi ai.
Ai shtoi se çelësi për zgjedhje të krizës është funksionimi i institucioneve demokratike dhe është e rëndësishme që Ivanov të mos bllokojë proceset demokratike.
E ndërkohë, presidenti Gjorge Ivanov ka fluturuar për në Baku të Azerbajxhanit, i ftuar në sesionin presidencial të forumit ndërkombëtarë.
“Kryetari Ivanov do të drejtohet në sesionin presidencial të forumit me temë “Ardhmëria e marrëdhënieve ndërkombëtare: fuqi dhe interesa”. Gjatë kohës së vizitës së punës, është e paraparë që presidenti Ivanov do të realizojë takim bilateral me presidentin e republikës së Azerbejxhanit, Ilham Alijev si dhe takime bilaterale me pjesëmarrësit e forumit”, thanë nga Kabineti i Presidentit të R.M.-së.
Thirrjet në adresë të Ivanov për të kontribuar për zgjidhjen e krizës përmes dhënies së mandatit Zaevit kanë pasuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe NATO.