Bërnabiç bën njoftimin : Zgjedhjet presidenciale në Serbi do të shpallen deri më 27 nëntor!

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Serbisë, Ana Bërnabiç, njoftoi se zgjedhjet presidenciale do të shpallen brenda afatit kushtetues, jo më vonë se 27 nëntori, ose, nëse formohen institucionet e reja, këtë do ta bëjë ushtruesi i ri i detyrës së presidentit.

Bërnabiç i bëri thirrje shumicës së re të dalë nga zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, që ta formojë qeverinë sa më parë.

E pyetur se kur do ta thërrasë seancën e Kuvendit, pasi të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare, ajo u përgjigj se kjo do të bëhet “në afatin më të shkurtër të mundshëm”.

Gazetarët e pyetën atë se kë e ka falur ish-presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe Bërnabiç tha se, sipas Kushtetutës, faljet nuk janë në kompetencë të ushtruesit të detyrës së presidentit dhe se ajo nuk mund të flasë për këtë çështje.

Aleksandar Vuçiç, i cili dha dorëheqje mbrëmjen e 27 shtatorit, një ditë më vonë ia dorëzoi detyrën e presidentit kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç.

Vuçiç i dorëzoi Bërnabiçit vulën presidenciale, dokumentet për faljet dhe dokumentet e tjera që kishte administruar gjatë kohës sa ishte president.

Pak para dorëheqjes, Vuçiç mori vendim për faljen dhe amnistinë e 49 personave. Deri më tani, emrat e tyre nuk janë bërë publikë.

Vuçiç dha dorëheqje për të marrë pjesë në garën për postin e kryeministrit si kandidat i Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Zgjedhjet u mbajtën më 25 tetor dhe, sipas rezultateve preliminare, fituese doli Lista Studentore. /REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu