Propozimi i fundit i Qeverisë nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe por, thjesht vetëm bën një avancim të saj nëpër institucionet. Ky është qëndrimi i Lëvizjes Besa rreth propozim ligjit për gjuhën shqipe. Fadil Zendeli nga kjo parti, deklaroi se pas tentativave të shumta dështuara të BDI-së për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, siç i quan ai, shqiptarët besonin se kësaj rradhe ajo përfundimisht do të zyrtarizohet. Megjithatë, sipas tij, shqiptarët mbetën pa realizuar një ndër aspiratat që e kanë pasur që gjuha shqipe të mbetet zyrtare.
“Pas disa ndryshimeve ku ata premtonin se e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe, opinioni publik në vend, veçanërisht opinioni publik shqiptar veçanërisht vitin e fundit ka pasur shpresa reale konkrete se më në fund ka ardhur koha që përfundimisht gjuha shqipe të zyrtarizohet. Fatkeqësishtt, edhe propozimi i fundit i Qeverisë nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe por, thjesht vetëm bën një avancim të saj në institucionet gjegjëse”, deklaroi Zendeli.
Nga ana tjetër, Tomisllav Tuntev nga LSDM, deklaroi sot se ky propozim ligj që është votuar në Qeveri nuk ka mbërritur akoma në parlament dhe në momentin që do të mbërrij do të hyj në procedurë parlamentare.
“Ligji për avancimin e përdorimit të gjuhëve është pjesë e pakos së ligjeve që i presim të vijnë çdo moment prej Qeverisë dhe sapo të mbërrijnë ekziston procedurë, kryetari do t’i vendos në rend dite në seancën e ardhshme dhe do të hyjnë në procedurë parlamentare. Nuk ka asnjë dilemë rreth kësaj”, tha Tuntev.
Nga Lëvizja Besa kanë paralajmëruar se ditëve në vijim do të dalin me një analizë më konkrete rreth asaj se çfarë përmban ky ligj.








