Oborret përreth Xhamisë Al-Aksa në Kudsin e pushtuar në ditën e parë të festës katërditore të Kurban Bajramit ishin të mbushura me besimtarë myslimanë që falën namazin e Bajramit, raporton Anadolu.
Sipas një deklarate nga Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit, afërsisht 140 mijë njerëz falën namazin e Bajramit në Xhaminë Al-Aksa, kibla e parë e myslimanëve.
Palestinezët që dëshironin të arrinin në xhami nga skajet e largëta të Kudsit Lindor të pushtuar dhe qyteteve palestineze nën kontrollin izraelit formuan radhë të gjata automjetesh në rrugët që të çojnë në Qytetin e Vjetër, ku ndodhet Haram al-Sharifi.
Para namazit të Bajramit, policia izraelite në portat e Xhamisë Al-Aksa kreu kontrolle identiteti për palestinezët dhe disave iu mohua hyrja.
Këtë vit, festa e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman, vjen në mes të shkeljeve të vazhdueshme izraelite të marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga tetori 2025.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 880 persona janë vrarë dhe mbi 2.645 janë plagosur në sulmet izraelite që nga shpallja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit më 10 tetor.
Marrëveshja synonte t’i jepte fund luftës së Izraelit, e cila ka vrarë më shumë se 72 mijë njerëz, shumica gra dhe fëmijë, ka plagosur mbi 172 mijë dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha që kanë prekur rreth 90 për qind të infrastrukturës civile që nga tetori 2023.










