Biden akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane të vitit 2022

Rusia tashmë po ndërhyn në zgjedhjet për Kongres të vitit të ardhshëm në SHBA, tha Presidenti Joe Biden të martën në një fjalim në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI).

Duke iu referuar raportit sekret të ditës të përgatitur nga komuniteti i inteligjencës për të, Biden tha: “Shikoni se çfarë po bën tashmë Rusia në lidhje me zgjedhjet e vitit 2022 dhe dezinformimin.”

Veprime të tilla nga Moska janë një “shkelje e pastër e sovranitetit tonë”, tha presidenti, pa shtjelluar më tej, në komentet tij para rreth 120 përfaqësuesve të komunitetit të inteligjencës amerikane që u mblodhën në veri të Virxhinias në selinë e ODNI-së.

Referenca publike e Preisdentit Biden për diçka që është sekret presidencial i ditës me siguri se do të shkaktojë reagime.

Ai është president. Ai mund të deklasifikojë çdo gjë që dëshiron kur të dojë”, tha Emily Harding, zëvendës drejtore e programit ndërkombëtar të sigurisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Dhe nuk jam i sigurt se do të jetë shokuese për këdo që Rusia po shqyrton mundësinë e dezinformimit për zgjedhjet e vitit 2022. Mendoj se është vërtet një kujtesë e mirë që Rusia vazhdon ta bëjë këtë dhe se asgjë nuk i ka dekurajuar ata ende”, tha ajo.

Presidenti gjithashtu kishte një parashikim ogurzi për përshkallëzimin e sulmeve kibernetike që kanë në shënjestër Shtetet e Bashkuara, për të cilat administrata e tij ka fajësuar hakerët e mbështetur nga shteti në Kinë dhe ata që veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi.

Presidenti Biden tha se ai beson se po rriten gjithnjë e më shumë gjasat që Shtetet e Bashkuara të “mund të përfundojnë në një luftë të hapur me një fuqi të madhe”, si pasojë e sulmeve kibernetike.

Aftësitë kibernetike të kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara “po rriten në mënyrë eksponenciale”, tha presidenti amerikan. Presidenti rus Vladimir Putin dukej se ishte shumë në mendjen e zotit Biden gjatë komenteve të tij para komunitetit të inteligjencës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu