I nominuari për Shtëpinë e Bardhë nga Demokratët, Joe Biden, ka thënë se presidenti i tanishëm Donald Trump e ka “mbuluar me errësirë Amerikën për kohë të gjatë”.
Ish zëvendëspresidenti amerikan ka thënë se rivali i tij “ka mbjell frikë, zemërim dhe aq shumë përçarje”, shkruan BBC. 77 vjeçari hyn në fushatën e përgjithshme me një epërsi të qartë siç thonë sondazhet, karshi 74 vjeçarit, Trump.
“Që këtu e tutje, unë jam fjalën, se nëse ma besoni Presidencën, unë do ta jap më të mirën, jo më të keqen. Unë do të jem aleat me dritën dhe jo me errësirën. Është koha jonë, që të mblidhemi. Të mos bëjmë gabime, të bashkohemi dhe ta kapërcejmë këtë periudhë të errësirës që ka mbuluar Amerikën”, theksoi Biden.
Biden, në një fjalim që nga analistë të shumtë amerikan u vlerësua si fjalimi më i mirë i tij i mbajtur ndonjëherë, i ka bërë thirrje amerikanëve që në Nëntor të votojnë duke pasë parasysh se zgjedhja që kanë tek kutia e votimit është ajo në mes të “‘shpresës, fakteve dhe drejtësisë në njërën anë dhe frigës, të pavërtetave dhe privilegjit në anën tjetër.”
“Këto zgjedhje ngërthejnë në vehte ruajtjen dhe shpëtimin e shpirtit të kombit amerikan,” ka theksuar ai, duke vënë në pah empatinë si vlerë e domosdoshme e një lideri amerikan, por edhe si virtyt i shoqërisë amerikane në përgjithësi. Në këtë kontekst, ai theksoi se ka mësuar dy gjëra kryesore nga humbjet shpirtërore që ka përjetuar në jetën e vet — humbja e gruas se parë dhe vajzës në një aksident tragjik, dhe mandej humbja e djalit Beau –“se të dashurit tonë që kanë shkuar nga kjo botë, kurrë nuk ikin nga zemra jonë; dhe se në vuajtjen dhe mërzinë që kemi për ta ta kthejmë në qëllim!”
Nëse fiton zgjedhjet e 3 nëntorit dhe inagurohet në janarin e ardhshëm, zoti Biden do të ishte 78 vjeç, presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara, duke ia kaluar edhe Presidentit Trump, i cili është 74 vjeç.(INA)










